Lajme

Mushkolaj: Dyfytyrësia e VV-së, thonë qeverisin pa Listën Serbe por bashkëpunojnë për vota

By GAZETA SCANNER 1

October 09, 2024

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka shfaqur një qëndrim të dyfishtë në raport me Listën Serbe, duke pretenduar se mund të qeverisë pa të, por në realitet bashkëpunon për të kaluar ligje.

“Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se po mundem me qeverisë pa Listën Serbe, ndërkohë që kur vjen nevoja për me siguru vota për me kalu ligje ata po votojkan ligje bashkë me Listën Serbe, pra kjo është dyfytyrësia dhe hipokrizia e Vetëvendosjes. Nëse na thanë edhe na kanë thënë që ne mund të qeverisim pa Listën Serbe edhe janë krenuar me këtë fakt atëherë si erdhi puna që zonja Kusari – Lila në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, përkatësisht në emër të Qeverisë së Kosovës, të diskutojë me një person si Radoiçiqi që të sigurojë vota për të kaluar ligje të caktuar në Kuvendin e Kosovës,” ka thënë Mushkolaj gjatë emisionit Debat Plus.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme të shpjegohet pse Kusari-Lila ka komunikuar me një person si Radojiçiq, i cili në atë kohë ndodhej në listën e zezë të SHBA-së.

Ai beson se ajo ka komunikuar kokë më vete, por në emër të pushtetit.

“Ajo është e obliguar se pse ka pasur nevojë të komunikojë me Radoiçiqin, sepse nuk besoj se ka komunikuar kokë më vete… ajo ka komunikuar në emër të pushtetit, edhe është e rëndësishme me e dit publiku se pse ka komunikuar në kohën kur e dimë që ai ka qenë në listën e  zezë të SHBA-së”, ka deklaruar ai.