Ekonomist-slider

Murtezaj: Masat anti-COVID-19 me efekte ekonomike, por në rend të parë është shëndeti

Ekonomia e Kosovës do afektohet nga sëmundja COVID-19 dhe efektet do jenë të konsiderueshme, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Ai thotë se vetëm në ATK, në mungesë apo mosrealizim të te hyrave të pritshme, për muajin mars të hyrat mund të jenë në vlerë nga 10 deri 14 milionë euro më pak. Kurse, mbi 66 mijë euro administrata ka shqiptuar gjoba për bizneset që kanë keqpërdorur situatën më rritjen e çmimeve të disa produkteve.

Radio Evropa e Lirë: Për shkak të kufizimeve dhe masave kundër përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime që afektojnë bizneset. A ka kapacitete ATK-ja që t’i zbatojë ato në këtë periudhë?

Ilir Murtezaj: Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli shpërthimin e koronavirusit pandemi dhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e gjendjes emergjente për shëndetin publik, ne si Administratë Tatimore e Kosovës (ATK), jemi obliguar që të monitorojmë një nga masat e parapara, që ka të bëjë me çështjen e ngritjes së çmimeve në ditët e para pas shpalljes së pandemisë.

Realisht, bazuar në vendim të Qeverisë se Republikës se Kosovës është rekomanduar që një pjesë e stafit të cilët kanë njërin prind në punë të lirohen, për shkak të kujdesit të fëmijëve të tyre. Kemi punuar me kapacitete të reduktuara, por kjo për çdo ditë e më tepër është shkuar në drejtim të reduktimit të kapaciteteve në kuadër të ATK-së.

Mirëpo, përkundër kësaj, ne të cilët kemi qenë duke punuar, kemi punuar me kapacitete më tepër se 100 për qindshi i mundshëm, gjithnjë me qëllim që të parandalojmë ose të zvogëlojmë mundësinë e keqpërdorimit të situatës nga një numër i vogël i bizneseve, që ditëve të para kishin filluar të keqpërdorin. Si rezultat i punës së madhe që është bërë në terren nga inspektorët, pas pranimit të denoncimeve nga qytetarët për ngritje të çmimeve të produkteve të caktuara, ne kemi përcjell këto raste me inspektorët e terrenit dhe ata e kanë bërë konstatimin e gjendjes në terren. Më pas janë ndërmarrë edhe masat ndëshkuese ndaj këtyre bizneseve, që në numër nuk kanë qenë shumë.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka qenë numri këtyre i bizneseve zoti Murtezaj dhe sa është vlera e gjobave të shqiptuara nga ATK-ja?


Ilir Murtezaj: Nga data 12 mars, nga momenti kur kemi bërë publike dy linjat telefonike për denoncime, që nga ajo kohë kemi pranuar 3,839 denoncime, që kanë të bëjnë kryesisht për ngritje të çmimeve, por edhe për çështje të tjera. Pas pranimeve të këtyre denoncimeve, që një pjesë e tyre, për shembull denoncime në numër të madh ka pasur për të njëjtin tatimpagues. Ato raste janë përcjell tek inspektorët e terrenit për verifikim. Prej datës 12 deri 26 mars, kemi zhvilluar 1,753 aktivitete ose verifikime. Nga këto verifikime është konstatuar se në 260 raste ka pasur shkelje, qoftë për moslëshim të kuponit fiskal dhe në numër më të vogël për rritje të çmimeve.Të gjitha këto raste janë deleguar në Njësinë për Shqiptimin e Gjobave dhe janë ndërmarrë masat ndëshkuese. Deri më tani, kemi raste të shqiptimit të gjobave për 199 biznese, në vlerë totale prej 66,750 eurosh.

Këto janë disa nga veprimet që janë ndërmarrë nga administrata dhe këto kanë pasur efekt. Pasi realiteti është se kemi stabilizim të gjendjes në terren. Nga dita e parë kur kemi pranuar 1,033 thirrje, të enjten (më 26 mars), kemi pranuar vetëm 18 thirrje, që nënkupton se është stabilizuar gjendja në terren.

Radio Evropa e Lirë: Kur kihet parasysh fakti se buxheti i Kosovës varet nga një pjesë e të hyrave nga ATK-ja, masat e ndërmarra për shkak të pandemisë sa konsideroni se do të vështirësojnë realizimin e të hyrave të parapara nga Qeveria e Kosovës?

Ilir Murtezaj: Në këtë kohë dhe në këtë gjendja primare dhe mbi të gjitha është shëndeti i qytetarëve, e pastaj është edhe pjesa ekonomisë. Sigurisht, sikur të gjitha ekonomitë botërore që ka afektuar kjo situatë, efektet e kësaj pandemie do të vërehen edhe në Kosovë në ditët në vijim. Duke ditur se ekonomia jonë është me kapacitete shumë më të limituara sesa ekonomitë e vendeve tjera, besojmë se dëmet do të jenë të konsiderueshme. Në aspektin e tatimeve, vetëm këto ditët e para që nga data 12 mars e deri më tani, reflektimet në mungesë apo mosrealizim të te hyrave të pritshme, për muajin mars mund të jenë nga 10 deri 14 milionë euro, gjë që është një shumë e konsiderueshme. Por, shpresojmë se muajin e ardhshëm do të kompensohen këto pagesa të tatimeve.

Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh edhe faktin se shumë biznese kanë ndaluar aktivitetet e tyre, konsumi dhe shërbimet janë zvogëluar, sipas jush, cilat do të jenë pasojat dhe a pritet një çrregullim i tregut të punës?

Ilir Murtezaj: Kjo situatë krijon çrregullime të shumta. Prapë po ndërlidhem me afatin e zgjatjes së situatës. Nëse arrihet të zvogëlohet ose të ndalet kjo sëmundje, për një periudhë afatshkurtër, atëherë edhe dëmet dhe çrregullimi do të jetë më i vogël, kurse nëse zgjatë shumë, atëherë dëmet do të jenë më të mëdha. Do të ketë çrregullim edhe në aspektin e furnizimeve, do të ketë çrregullim edhe në aspektin e punëtorëve sepse rreziku për t’u atakuar me sëmundjen po vështirëson edhe angazhimin e punëtorëve të kompanitë kosovare që i kemi.

Shumë kompani po parashtrojnë ankesa duke thënë se masat e Qeverisë së Kosovës po vështirësojnë daljen e punëtorëve në punë për shkak të frikës nga infektimi me virusin COVID-19. Andaj, unë edhe si drejtor i ATK-së, por edhe si ekonomist mund të them lirisht edhe pse jemi një shtet i vogël dhe me një buxhet jo të mjaftueshëm, duhet të mendohet për përkrahjen të bizneseve me qëllim që dëmet e tyre të jenë sa më të vogla.