Vedat Muriqi po e bën namin në këtë sezon në futbollin evropian.
Sulmuesi kosovar i ka realizuar 12 gola dhe i ka dhuruar dy asistime me Mallorcan duke e bërë veten njërin prej golashënuesve më të mirë të ligës.
28-vjeçari kishte vazhdimësi dhe e ka marrë në dorë Mallorcan edhe në këtë edicion, njëjtë si në atë të kaluar, kur e shpëtoi pa rënë nga liga, shkruan “Gazeta Express”.
Kjo ka bërë që përfaqësuesi kosovar të përfshihet në listën e kandidatëve për të qenë pjesë e ekipit ideal të vitit, të zgjedhur nga FIFA 2023, e që quhet “FIFA 23 Team of the Season” (TOTS).
Më saktësisht, në këtë ekip janë përfshirë lojtarët më të qëndrueshëm të këtij sezoni, pra që kanë pasur vazhdimësi.
EA Sports FIFA i ka ftuar tifozët që t’i votojnë lojtarët në secilën pozitë, për ta nxjerrë më pas 11-shen ideale me formacioni 4-3-3.
Në repartin e sulmit gjenden 28 futbollistë, ndërsa tre prej tyre do të jenë pjesë e ekipit ideal.
Në mesin e kandidatëve ka lojtarë të njohur si Gabriel Jesus, Alvaro Morata, Rodrygo, Alexis Sanchez etj., ndërsa natyrisht nuk janë përfshirë yjet e futbollit evropian.
Në bazë të komentuesve në rrjetin social Instagram, Muriqi është lojtari që e meriton më së shumti që të jetë pjesë e ekipit komunitar të sezonit të FIFA23, shkruan “Gazeta Express”.
Votën për “Piratin” nga Kosova mund ta jepni në këtë link:
https://www.ea.com/es-es/games/fifa/fifa-23/ultimate-team/tots/community
Ndërkohë, mediumi i madh spanjoll “Marca” e përfshiu Muriqin në ekipin ideal të xhiros së 28-të të La Ligas falë dygolëshit të shënuar në fundjavë ndaj Real Valladolidit, kur ia siguroi një pikë Mallorcas.
Muriqi e sheh veten veç dy gola prapa Karim Benzemas dhe pesë gola prapa liderit të golashënuesve të La Ligas, Robert Lewandowski.
Një sezon përrallor për yllin kosovar.