Lajme

Murati thotë se për shkak të luftës së pakompromis ndaj kontrabandës janë dyfishuar të hyrat tatimore gjatë 4 viteve

By GAZETA SCANNER 1

November 10, 2024

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka akuzuar qeveritë e kaluar për vjedhje të buxhetit.

Ai ka paraqitur një grafikon ku tregon për importin e deklaruar që ka hyrë në Kosovë nëpër vite dhe importin potencial se si do të dukej nëse “do të luftohej e ndalohej kontrabanda”.

“Në grafikonin më poshtë, me ngjyrë të kaltër është paraqitur importi i deklaruar që ka hyrë në Kosovë, nëpër vite. Ndërsa me ngjyrë të kuqe, është paraqitur importi potencial për vitet e qeverisjeve paraprake, pra si do të dukej nëse edhe në ato vite do të luftohej e ndalohej kontrabanda sikurse në tri vitet (2021-2023) e qeverisjes sonë. Kjo është bërë duke e llogaritur importin sa 61% e Bruto Produktit Vendor për vitet paraprake, aq sa është mesatarja e importit ndaj BPV-së për periudhën 2021-2023.”

Ai ka shtuar se diferenca mes importit të deklaruar dhe atij potencial e jep rezultat shifrën se sa mund të ketë qenë vlera e mallit të kontrabanduar.

“Diferenca në mes të importit të deklaruar, dhe importit potencial, e jep si rezultat edhe shifrën se sa mund të ketë qenë vlera e mallit që ka hyrë kontrabandë. Niveli i mallit kontrabandë, në grafikon është paraqitur me ngjyrë të gjelbër.”

Murati ka thënë se malli i kontabanduar nga viti 2008 e këtej kap vlerën e 7.94 miliardë eurove.

“Kjo nënkupton që malli që ka hyrë kontrabandë në vitin 2015 ka qenë rreth 0.83 miliardë (3.46-2.63), apo saktësisht 827 milionë euro, siç edhe mund të shihet tek grafikoni me ngjyrë të gjelbër. Kur mblidhen të gjitha vitet nga 2008 e këtej, del se malli potencialisht i kontrabanduar sipas të dhënave të paraqitura në grafikon, kap vlerën e 7.94 miliardë eurove.”

Ai ka thënë se nëse ky mall do të deklarohej TVSH do të ishte 1.4 miliard.

“Nëse ky mall nuk do të lejohej si kontrabandë, por do të deklarohej i tëri siç bëhet tani, vetëm TVSH-ja e mbledhur do të arrinte në 1.4 miliardë euro. E mos të flasim për tarifat doganore dhe akcizën, që me shumë gjasë një pjesë e madhe e këtij malli mund të ketë qenë mall akcizor.”

Sipas Muratit grafikoni që ai ka publikuar “vërteton që importi nuk ka qenë i ulët as në të kaluarën, por kontrabanda ka qenë e lartë”.

“Kjo njëkohësisht e demanton edhe pretendimin e opozitës që shpesh e dëgjojmë, se gjoja në Qeverinë Kurti është rritur importi. Grafikoni i paraqitur më poshtë e vërteton që në fakt importi nuk ka qenë i ulët as në të kaluarën, por kontrabanda ka qenë e lartë, dhe prandaj regjistrimi zyrtar e qet që ka pasur më pak import për ato vite.”

Ministri Murati thotë se për shkak të luftës së pakompromis ndaj kontrabandës janë dyfishuar të hyrat tatimore gjatë 4 viteve

“Dhe në vitin 2021, siç edhe mund të shihet nga grafikoni, me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti, importi i deklaruar fillon t’i afrohet nivelit 61% të Bruto Prodhimit Vendor, si rezultat i luftës së pakompromis kundër kontrabandës, dhe shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të vendit, duke siguruar që importi deklarohet, por edhe taksat mblidhen. Prandaj kemi dyfishim të të hyrave tatimore për vetëm 4 vite qeverisje. Vazhdojmë!”