Lajme

Murati: Kushtetuesja ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja

By GAZETA SCANNER 1

September 04, 2023

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese mori vendim për pezullimin e Nenit 5 të ligjit të ndryshuar për Tatimin në Pronë, nen ky i cili mundëson komunat të falin një pjesë të barrës tatimore për vitin 2023, deri në 100 euro.

Ministri Murati tha se Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja.

“Gjykata Kushtetuese paska marrë vendim për pezullimin e Nenit 5 të ligjit të ndryshuar për Tatimin në Pronë, nen ky i cili mundëson komunat të falin një pjesë të barrës tatimore për vitin 2023, deri në 100 euro. Me fjalë tjera, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja. Madje për t’i shkuar ironisë deri në fund, paska pezulluar edhe vendimet që disa prej komunave tashmë i kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore. Krejt kjo në emër të parandalimit të ndërhyrjes në kompetenca të komunave”, tha ai.

Tutje Murati tha se qëllimi i siç e quajti ai “garda e vjetër” është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se “gjoja ata do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”, tha Murati.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë zbatimin e nenit që parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë, duke vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë.

Ky vendim është marrë dy javë pasi që Komuna e Prizrenit e kishte dërguar ligjin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.