Lajme

Murati: Figura e Adem Jasharit kishte edhe një dimension politik, përveç atij ushtarak

By GAZETA SCANNER 1

August 22, 2024

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në ciklin e emisioneve “Rubikoni i Jetës” ka folur mbi periudhën e luftës si pjesëtar i LKÇK-së dhe kryeredaktor i gazetës “Çlirimi”, që ishte organ i kësaj lëvizjeje.

Në këtë kontekst, Murati tha se figura e Adem Jasharit kishte edhe një dimension politik, përveç atij ushtarak.

“Adem Jashari sot shihet vetëm si një simbol i një rezistence ushtarake, por lufta në thelbin e vet është atë që e ka thënë Clausewitz, një vazhdim i politikës me mjete të tjera dhe është kulminacioni i organizimit politik të një shoqërie, i organizimit në përgjithësi të një shoqërie, dhe Adem Jashari nga viti 95-96 vazhdimisht na ka bërë të fala neve LKÇK-së që t’ia dërgojmë Çlirimin në mënyrë që ai ta shpërndajë te njerëzit që tregon dimensionin edhe politik të figurës së Adem Jasharit përveç atij ushtarak”, tha Murati në Rubikon të Klan Kosovës.

Sipas tij, Adem Jashari kishte anën ushtarake, por i nevojitej ana politike, për të cilën kërkonte ndihmën e LKÇK-së.

“Nëse LKÇK-ja e ka pasur çlirimin, mobilizimin, organizimin dhe i është nevojitur edhe ana ushtarake, Adem Jashari e ka pasur anën e aksionit ushtarak, iu ka nevojitur ana politike dhe ka kërkuar ndihmë në këtë drejtim, sepse kur ka biseduar me njerëz ka qenë i pamjaftueshëm vetëm aksioni, njerëzit kanë kërkuar edhe mendimin politik”, tha Murati.

Tutje Murarti theksoi se Adem Jashari madje kishte kërkuar që disa pjesëtarë të LKÇK-së, që ishin në ilegalitet, të vendoseshin në Prekaz, pasi Prekazi ishte një zonë e lirë.

“Adem Jashari ka çu fjalë te shokët tanë që ishin ilegale, ta kemi parasysh Avnik Klinakun, Bahri Fazliun, Agron Rrahmanin, më vonë i është bashkangjitur Fatmir Hullomolli, kanë jetuar në ilegalitet në Prishtinë nga viti 1993, krejt këto aktivitete janë koordinuar prej tyre, pra kanë jetuar në Prishtinë dhe Ademi ka çu fjalë që këta shokë me shku dhe me u vendosë në Prekaz si një zonë e lirë, por LKÇK-ja ka pasur një qëndrim se ne duhet të qëndrojmë në pjesët urbane, sidomos në Prishtinë”, tha Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.