Pas mbylljes së këtij edicioni fantastik, “Aspirinat” e Bayer Leverkusen kanë nisur të mendojnë për sezonin e ardhshëm, teksa drejtuesit dhe trajneri Xabi Alonso kanë nisur nga puna për të përforcuar organikën, me misionin për të mbrojtur titullin kampion të Gjermanisë dhe DFB Pokal.
Kampionët e Bundesliga po studiojnë tregun spanjoll, teksa sipas raportimeve më të fundit të mediave gjermane, “Aspirinat” kanë arritur akordin me mesfushorin e Girona, Aleix Garcia, me 26-vjeçarin spanjoll, i cili ishte protagonist absolut në sezonin e mrekullueshëm, të skuadrës së tij, Girona.
Garcia më parë ka qenë pjesë e Manchester City, por tani duket se ka ardhur moment për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë edhe pse lojtari rinovoi pak kohë më parë kontratën me spanjollët deri në vitin 2026 dhe sipas raportimeve palët janë dakordsuar e gjithçka pritet të zyrtarizohet shumë shpejt, madje është bërë me dije se Garcia do të firmosë me Leverkusen deri në verën e vitit 2029.