Lajme

“Mundesh me dalë prej kerrit edhe me ecë”, Bajqinovci ironizon deklaratën e Ramës: “Dilni nga vetura dhe drejt në palestër”

By GAZETA SCANNER 1

October 22, 2024

Tollovia në komunikacion dhe pritjet e gjata në kolona vazhdojnë të mbesin ndër problemet kryesore të qytetarëve në Prishtinë. Por siç duket kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pritjet në kolona i merr me sportivitet.

Së fundmi, Rama në një studio televizive duke folur për kolonat, ai tha se qytetarët nuk kanë nevojë të nervozohen dhe se gjatë kohës sa presin në veturë mund ta shfrytëzojnë për të bërë diçka për vete.

“Mundesh me dalë prej kerrit edhe me ecë… Mundesh me bisedu me dikë telefon, me planifiku diçka, me shfrytëzu mundësinë për të menduar diçka për vete”, tha ai, derisa shtoi se nëse vonohesh në punë për shkak të kolonave nuk ke pse nervozohesh pasi që ajo nuk është në dorën tënde.

Me këtë të fundit ka ironizuar deputeti i Lëvizjes Vetvendosje, Mefail Bajqinovci përmes një fotoje nga palestra me mbishkrim, “Kur ngecni në trafik në Prishtinë! Dilni nga vetura dhe drejt në palestër”.