Lajme

“Mund të përdoret si një mjet politik”: Pasojat që paralajmëronte ambasadorja Kaidanow në rast të një sulmi në kanalin Ibër-Lepenc

By GAZETA SCANNER

December 07, 2024

Më 29 nëntor, një sulm me bombë çau sistemin e kanalit Ibër-Lepenc, duke rrezikuar seriozisht infrastrukturën vitale të Kosovës. Sulmi, i dënuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, u konsiderua si më i rëndi që nga paslufta për nga potenciali i shkaktimit të dëmeve.

Ja çka paralajmëronte ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tina Kaidanow, në rast të një sulmi sabotues ndaj këtij kanali.

Në dokumentet e WikiLeaks të viteve 2006 dhe 2007, Kaidanow kishte trajtuar gjerësisht rëndësinë strategjike të kanalit dhe rolit kyç të tij në sigurimin e ujit për pije dhe operacione industriale.

Kanali, sulmi ndaj të cilit kërcënoi infrastrukturën jetike dhe duke shkaktoi shqetësime serioze për energjinë, ishte cilësuar jetik për sektorin energjetik të vendit.

“Liqeni furnizon me ujë të pijshëm zonat e veriut të Kosovës dhe furnizon me ujë të domosdoshëm për ftohje për industrinë kryesore, duke përfshirë prodhimin e energjisë dhe nikelit, përmes një sistemi të ndërlikuar të digave dhe rrjeteve të kanaleve. Projektet kryesore të zhvillimit ekonomik janë gjithashtu të varura nga mbajtja e Gazivodës si një burim i arritshëm dhe i qëndrueshëm. Në një skenar më të keq, sabotazhi i këtyre sistemeve të shpërndarjes mund të reduktojë ose të ndërpresë plotësisht furnizimin me energji elektrike për gjithë Kosovën, pasi Gazivoda është burimi i vetëm i ujit të ftohjes për stacionin energjetik Kosovë B, që ndodhet pak jashtë Prishtinës, por sipas mendimit tonë, ndërvarësia e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës në lidhje me këtë sistem uji e bën sabotazhin një mundësi të largët.”

Ish-ambasadorja Kaidanow, theksonte në atë botë cenueshmërinë strategjike të kanalit për shkak të pamundësisë për t’u mbrojtur plotësisht.

“Natyra e ndërlidhur e rezervuarit të madh Gazivoda në Kosovë dhe sistemit ekzistues të furnizimit me ujë — që ndikon si në komunitetet serbe ashtu edhe në ato shqiptare — e bën atë një objektiv të pamundur për sabotazh serioz. Për më tepër, sistemi është shumë i gjatë për t’u mbrojtur plotësisht, dhe disa nyje kyçe janë tashmë nën patrullim nga KFOR-i për të penguar mundësinë e problemeve të vogla. USOP-i do të qëndrojë në komunikim të ngushtë me kontaktet lokale dhe ndërkombëtare për të monitoruar situatën në Gazivodë dhe përgjatë kanalit të Ibër-it.”

Në atë botë, Kaidanow paralajmëronte rëndësinë e mbajtjes së sistemit të kanalit Ibër-Lepenc jashtë agjendës politike të Beogradit.

“Në planin afatgjatë, ne, së bashku me partnerët tanë evropianë, do të dëshirojmë të sigurohemi që kjo ndërlidhje të forcohet ose të paktën të mos dobësohet; përndryshe, një burim jetik ujor, me potencial të mjaftueshëm për të ndihmuar zhvillimin e të gjithë Kosovës, veriut dhe jugut, mund të përdoret si një mjet politik nga Beogradi për të penguar seriozisht mirëqenien e një Kosove të pavarur.”

Gjendja aktuale e sigurisë në Ibër-Lepenc

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka deklaruar për Nacionalen se, rreth një javë pas sulmit, situata e sigurisë në nivel vendi mbetet e qetë, por theksoi se në veri të Kosovës ende ekziston një pasiguri e vazhdueshme për shkak të “natyrave të ndryshme kriminale”.

“Situata e sigurisë në nivel vendi vlerësohet e qetë, aktualisht një situatë e qetë vlerësohet edhe në veri të vendit, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi, në veri është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, sikurse rasti i sulmit kriminal terrorist i ndodhur me 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, të komunës së Zubin Potokut.” – tha ai.

Kelani shtoi se pasojat e mundshme të këtij sulmi mund të ishin shumë të rënda për vendin, duke përfshirë rrezikun për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për ndikimin në operimin e termocentraleve të Kosovës.

“Angazhimet dhe masat shtesë të Policisë së Kosovës po vazhdojnë në veri të vendit, me qëllim që banorëve të asaj zone tu ofrohet siguri, të parandalohen aktet e mundshme kriminale e terroriste, akte këto si ky i fundit që ishte ndaj infrastrukturës kritike, dëmtimi i së cilës mund të kishte sjellë pasoja të mëdha për vendin, për termocentralet e po ashtu do të kishte lënë pa ujë të pijshëm shumë banorë të disa komunave, përfshirë edhe vet banorët në komunat në veri të vendit.” – tha ai. /Nacionale/