Lajme

​Muja thotë se ekonomia është në rritje, i reagon Bajrami: Propoganda nuk kalon

By GAZETA SCANNER 1

September 17, 2023

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka shkruar se qarkullimi i dyfishuar i bizneseve reflekton rritjen e transaksioneve në një ekonomi në rritje, por atij i ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, duke i thënë se e kanë kanë marrë mandatin me 16% rritje ekonomike dhe e kanë sjellë në 2%.

Deputeti Muja ka shkruar në Facebook se për 7 muajt e parë të vitit 2023, bizneset në Kosovë kanë raportuar qarkullim në vlerë 11.2 miliardë euro, dyfishi në krahasim me 2020.

“Bizneset ndërmjet janar-korrik 2023 kanë paguar 140.1 milionë euro tatim në fitim, dyfishi krahasur me 2019. Qarkullimi i dyfishuar reflekton rritjen e transaksioneve në një ekonomi në rritje por edhe formalizim të aktivitetit të tyre”, ka shkruar ai.

Mujës i ka reaguar deputetja Bajrami, e cila ka shkruar se propaganda nuk kalon.

“S’ka zhvillim ekonomik, ka ngecje, ka ikje masive të qytetarëve nga vendi. Me propoagandë nuk mund të ushqehen njerëzit. Me 16% rritje ekonomike e keni marrë mandatin, e keni sjellë në 2%. Ky graf është i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i publikuar para 2 ditëve”, ka shkruar ajo.