Ekonomi

MPBAP-ja vjen me njoftim të rëndësishëm për operatorët ekonomikë

Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve, ka njoftuar të gjithë operatorët ekonomik, të cilët kanë të regjistruar për veprimtari, njërin nga kodet NACE, të listuara në Urdhëresën: 01-05 të datës 23.03.2020, të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë (MEPTINIS), se tashmë Administrata Tatimore e Kosovës është duke iu përcjellë me anë të e-mailit, një formë (vërtetim për lëvizje të lirë), për punonjësit të cilët do të punojnë gjatë orareve kur ka kufizim të lëvizjeve.

Forma duhet të plotësohet dhe të vuloset nga ana e operatorit ekonomik (punëdhënësit) për secilin punonjës të nevojshëm për funksionimin e veprimtarisë. Kjo formë do t’iu shërbejnë punonjëseve që të mund të lëvizin lirshëm gjatë kohës së kufizimit të lëvizjeve.

Me këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka njoftuar të gjithë operatorët ekonomik, se është obligim i Policisë së Kosovës që në rast nevoje të kërkojë nga punonjësit vërtetimin për lëvizje të lirë të kompanisë ku punojnë.

“Kërkojmë nga të gjithë operatorët ekonomik që për çdo paqartësi të drejtohen në Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë (MEPTINIS), për tu sqaruar”, ka njoftuar MPBAP.

Më shumë bashkëngjitur keni linkun me urdhëresën dhe linkun për veprimtaritë ekonomike sipas kodeve:

URDHËRESË PËR MBARËVAJTJEN E VEPRIMTARIVE EKONOMIKE GJATË EMERGJENCËS SE SHËNDETIT PUBLIK (23-03-2020): https://meptinis.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,%203,894.

VEPRIMTARITË EKONOMIKE, SIPAS KODEVE, NË LIDHJE ME URDHËRESËN E MEPTINIS, TË DT. 23 MARS 2020: https://bit.ly/33R98NZ.