Lajme

Molliqaj tregon pse u “sulmua” Besnik Bislimi me ëmbëlsirë: Nuk deshëm ta lëndojmë

By GAZETA SCANNER 1

March 22, 2023

Lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj ka folur për aksionin e kësaj partie ndaj kryenegociatorit të dialogut, Besnik Bislimi, i cili u gjuajtë me ëmbëlsirë. Ky aksion erdhi pasi në takimin e Ohrit u arrit aneksi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Molliqaj në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se nuk kanë pasur qëllim që ta lëndojnë Bislimin, andaj e kanë gjuajtur vetëm me tortë, pasi sipas tij, qeveria është gëzuar që është arritur kjo marrëveshje.

“Nuk ka pas kurrfarë rreziku, nuk kemi rreziku asgjë të jetës së tij. Nuk e di si e ka cilësu Policia, pasi që rastin e ministrit Murati nuk e ka cilësu as sulm as vepër penale, por kundërvajtje.

Aksionet simbolike të tilla janë mjet për me e shkund opinionin publik por edhe njerëz të tillë. S’kemi dashtë, as s’kemi pas synim me lëndu, por vec me shënju, e kemi gju me ëmbëlsirë, se fort janë gëzuar për këtë punë. Është përgjegjësia e tyre cfarë kanë bërë, e jo e jona”.

Ai tregoi se ky aksion ndaj Bislimit është bërë për shkak të funksionit që mban në procesin e dialogut.

“Ky aksion s’kish me ndodh hiq, mos t’kish qenë ky kryengociator, mos t’kish qenë ky me fjalë të veta publike e me marrëveshje në fund. Nuk e kemi bo aksionin ndaj Besnik Bislimit, pse ai është Besnik Bislimi, por sepse ka funksion, ka obligime dhe ka përgjegjësi”.