Molliqaj: Në janar përmbyllet faza e profilizimit të PSD-së

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka bërë me dije se Kryesia e kësaj partie përbëhet nga 50 për qind gra dhe 50 për qind burra.

Këto komente, Molliqaj i ka bërë pas zgjedhjes së Kryesisë së re të PSD-së.

“Kjo mbledhje u përshkua nga diskutimi mbi projektin e ri politik të PSD-së dhe profilizimin e ri të partisë, si parti e majtë progresive dhe anti-populliste. Gjatë muajit janar do të përmbyllet edhe faza e profilizimit të partisë. Bashkë me kryesinë e re kemi përpara një rrugë të gjatë e të mundimshme për të prodhuar në Kosovë një subjekt që përmes kritikës ideologjike dhe veprimit konkret do të përballet me valën e re të popullizmit që po e prekë edhe Kosovën”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka uruar të gjithë ata që u zgjodhën të dielën në pozitat drejtuese të Partisë Socialdemokrate.