Teknologji

Moduli rus destabilizon Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës është destabilizuar për pak kohë të enjten, pasi motorët e një moduli rus të sapoardhur janë ndezur pa dashje, kanë thënë zyrtarët.

“Ekipet e kontrollit kanë rregulluar këtë gjë dhe të gjitha sistemet janë duke punuar në mënyrë normale”, ka thënë Agjencia amerikane për Hapësirë, NASA.

Zyrtarët amerikanë dhe ata rusë, kanë thënë se shtatë anëtarët që janë në stacionin hapësinor, nuk kanë qenë asnjëherë në rrezik.

Problemi është vërejtur disa orë pasi moduli Nauka, ka arritur në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, pas tetë ditëve të fluturimit.

NASA ka thënë përmes një postimi në Twitter se moduli ka nisur të aktivizohet pa dashje dhe papritur, duke lëvizur edhe stacionin nga vendqëndrimi.

Komunikimet me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës kanë humbur për disa minuta gjatë incidentit.

Megjithatë, “ata nuk kanë vërejtur asgjë, pasi stacioni hapësinor është kthyer në gjendje normale brenda sekondave”.

Moduli i ri do të rezultojë në rritje të konsiderueshme të vëllimit të banueshëm të stacionit, duke e rritur atë për 70 metra kub.

Kosmonautët do ta përdorin hapësirën shtesë për të kryer eksperimente dhe për të ruajtur ngarkesat. Ata gjithashtu do ta përdorin atë si zonë pushimi.