Kultst-slider

MKRS: Suksesi i filmit “Zgjoi” është fitore për tërë Kosovën në arenën ndërkombëtare

Pas suksesit të arritur të filmit “Zgjoi” nga Kosova, në “The Sundance Film Festival”, festivalin më të madh të pavarur të filmit në SHBA, Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka takuar skenaristen dhe regjisoren e filmit Blerta Basholli.

Dumoshi e ka përgëzuar regjisoren Basholli për suksesin e arritur në festivalin “Sundance” duke rrëmbyer tri çmime, atë të jurisë, audiencës dhe për regjinë më të mirë.

“Suksesi i filmit “Zgjoi” është një fitore për tërë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ku është treguar cilësia dhe tradita në kinematografi që tashmë është ndërtuar në vendin tonë. Dua t’i përgëzoj tërë ekipin e filmit për këtë rezultat të arritur dhe si ministri ndjehemi të kënaqur tej mase që nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës kemi mbështetur këtë film”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Ndërkaq, skenaristja e filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli, tha se e falënderon ministren Dumoshi dhe MKRS-në për përkrahjen e dhënë për filmin. Ajo tha se këtë sukses ia dedikon Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe e Rahovecit.

“I falënderoj të gjithë kastën dhe ekipin tjetër të filmit dhe të gjithë ata që kanë mbështetur prodhimin e tij për të ndriçuar ekranin e madh të kinemasë. Rrëfimi që ka filmin përçon mesazhin e një gruaje nga Kosova që përkundër dhimbjes e mërzisë, paragjykimeve përreth ajo ia del duke u bërë e suksesshme”, tha Basholli.

Filmi ‘Zgjoi’ shënon një prej sukseseve historike dhe është dëshmi e fuqishme që prezanton në arenën ndërkombëtare një të vërtetë nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës.