Lajme

Ministrja Bajrami përgëzon UBT-në dhe shkollat për zhvillimin e mësimit online

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Hykmete Bajrami, ka përgëzuar UBT-në dhe gjitha shkollat që janë duke zhvilluar mësim në distancë, duke thënë se kjo formë e mësimit do të vazhdojë deri sa të vlejë masa për ndërprerjen e mësimit në shkolla.

Këto komente ajo i ka bërë në video-konferencën e organizuar nga UBT, me temë: “Rëndësia e edukimit online në kohë pandemie”, trasmetuar drejtpërdrejtë në UBT TV dhe Radio Campus.

Ministrja Bajrami në këtë konferencë online tregoi se në arsimin parauniversitar tashmë janë përfshirë mbi 70 për qind e lëndëve, teksa tha se ministria që ajo drejton ka përgatitur edhe udhëzues se si do duhet të implementohet në tërësi mësimi online.

Sipas saj, sfida e parë që vendi do të përballet në fushën e arsimit është vlerësimi i nxënësve sepse ka laramani të platformave që përdoren, si dhe, sipas saj, do jetë sfidë mbajtja e testit të semimaturës dhe maturën, po që tani për tani ende nuk ka ndonjë vendim në këtë drejtim.

“Nga informacionet që ne si ministri i kemi marrë, jemi informuar që UBT është një nga institucionet e arsimit të lartë, një ndër të parët që në ditët e para pas shpalljes së pandemisë ka filluar aplikimin e arsimit online. Gjithashtu, statistikat tregojnë për ndjekjen e ligjëratave nga një numër i madh i studentëve të UBT-së në mësim në distancë, dhe ky fakt na gëzon e jemi mirënjohës për të gjithë ata që kanë vepruar njësoj në këtë drejtim”, potencoi ministrja Bajrami.

“Për MAShTI-n ka qenë jashtëzakonisht sfiduese për dallim prej UBT-së, sepse në fakt ne kemi filluar çdo gjë nga zero. Si institucion UBT ka filluar më herët përdorimin e platformave online për mësim në distancë, të cilat lehtësisht i keni adaptuar pas shpalljes së pandemisë nga OBSH-ja. Por, në nivelin parauniversitar vërtetë ka qenë sfiduese. Këtij projekti u janë bashkëngjitur të gjitha palët e interest në mënyrë që të jetë i suksesshëm”, theksoi ajo.