Lajme

Ministria e Mbrojtjes: FSK nuk shënjestron qytetarë që duan të bashkohen për pagë, por për shërbim ndaj atdheut

By GAZETA SCANNER 1

September 29, 2024

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se shënjestron qytetarët që duan t’i bashkohen FSK-së për pagë, por për ata që janë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut 24/7.

Në një përgjigje për Tëvë 1 lidhur me largimin e pjesëtarëve nga FSK dhe disa ankesave që kanë pas ushtarët për kushtet në këtë institucion, thuhet ushtria është në shërbim ndaj vendit që do të thotë besnikëri e vetëmohim dhe se dallon nga profesionet tjera.

“Ushtria është shërbim ndaj vendit, do të thotë besnikëri, sakrificë, vetëmohim, prandaj dhe duhet bërë një dallim ndërmjet një vendi të zakonshëm pune dhe gatishmërisë për t’i shërbyer atdheut. FSK, nuk shënjestron qytetarë që duan t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës për pagë, por ata që janë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut 24/7” – thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.

Sipas tyre, përgjatë dy viteve 251 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë dorëhequr nga FSK-ja, teksa gjatë këtij viti rreth 2.6%.

Poashtu është thënë se largimet e ushtarëve asnjëherë nuk mund të ndalen në zero dhe sipas ministrisë me këtë dukuri ballafaqohen edhe vende anëtare të NATO-s.

“Daljet asnjëherë nuk mund të reduktohen në zero, mirëpo është e rëndësishme që rritja e ushtrisë jo vetëm në numër, por dhe ngritja e kapaciteve profesionale dhe operacionale të FSK-së të mos ndërpritet, andaj dhe në fokus ka qenë dhe vazhdon të jetë investimi në armatime. Nga 4 milionë sa ishte investuar në trevjeçarin 2018-2020, është investuar mbi 239 milionë euro përgjatë periudhës 2021-2023. Është prioritet i qeverisë që fuqizimi i ushtrisë të ndiqet pastaj dhe nga përmirësimi i mirëqenies së ushtarakëve.” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha në emisionin “InfoNata”,  ka thënë se gjendja në FSK është mizerje.

Sipas tij, sot më mirë është të punosh kamerier sesa ushtarë i FSK-së, kjo për shkak të kushteve të shërbimit.