Ministria e Mbrojtjes dhe FSK shënuan Ditën e Forcës. Në këtë ditë festive u organizua edhe “Dita e Hapur” ku në të gjitha kazermat e FSK-së, para qytetarëve të pranishëm, u ekspozuan dhe demonstruan aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së, të shoqëruara edhe me aktivitete tjera. Ceremonia u mbajt në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me ç’rast mori pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministri Shemsi Syla, zyrtarë dhe oficerë të tjerë të lartë si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere, me mision në vendin tonë.
Vizita e Presidentes Osmani filloi me inspektimin e kapaciteteve ushtarake FSK-së, të ekspozuara për publikun, ku në fjalën drejtuar mediave, ajo falënderoi komandantin e FSK-së, Gjeneral Jasharin dhe secilin ushtarak për punën e jashtëzakonshme, për gatishmërinë e tyre në realizimin me sukses të misionit të shenjtë që e ka FSK-ja, në mbrojtje të vendit.
“Jemi këtu për të parë për së afërmi përkushtimin, angazhimin dhe mbi të gjitha gatishmërinë për të bërë gjithçka për atdhe e vajzave dhe djemve të ushtrisë sonë, prandaj përkulemi para punës dhe përkushtimit të tyre”, tha Presidentja Osmani duke shtuar se FSK po vazhdon me sukses të madh periudhën e tranzicionit, duke pasur parasysh se orientimi strategjik i Republikës së Kosovës si shtet është anëtarësimi në NATO.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj një fjalën e tij theksoi se ëndrra shekullore po e jetësohet çdo ditë, përmes ushtrisë sonë, kapacitetet e të cilës po ngriten në vazhdimësi, përmes vajzave dhe djemve tanë që me fisnikëri, krenari e vullnet të hekurt bartin uniformën, emblema e së cilës do të thotë shumë për ne.
“Shumë rrugë kemi bërë për atë që do mbetet trashëgimi ndër breza, ushtri, komb dhe liri, edhe më shumë se brenda hapësirës tonë territoriale, shtetërore, sepse synimet tona janë të bashkëveprojmë në familjen evropiane dhe në NATO, për paqen që duhet mbizotëruar gjithandej globit, për lirinë universale të njerëzimit”, tha Ministri Mehaj në këtë ceremoni.
Kurse komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ua uroi Ditën e Forcës të gjithë personelit ushtarak e civil të FSK-së. “Duke falënderuar secilin pjesëtarë për angazhimin dhe shërbimin ndaj vendit, sot së bashku festojmë të arriturat dhe sukseset e FSK-së, dhe kështu nderojmë sakrificën e popullit ndër breza”, theksoi Gjeneral Jashari.
Si mysafir nderi në këtë ditë festive ishte edhe Rifat Jashari, i cili së bashku me Presidenten e vendit zbuloi portretin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, e punuar nga artisti Faton Kryeziu. Kjo pikturë nga sot do të qëndrojë në hapësirat e Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së.