Lajme

Ministri Rashiq: Hap i pritur nënshkrimi i peticionit në veri

By GAZETA SCANNER 1

January 17, 2024

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka folur për situatën në veri me fokus për peticionin për shkarkimin e kryetarëve në veri, themelimin e Asociacionit si dhe riintegrimin e serbëve në institucionet vendore.

Duke folur rreth nënshkrimit të peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri, Rashiq tha se përfaqësimi atje nuk ishte i shumicës prandaj erdhi gjendja deri tek peticioni.

“Ministria e jonë e ka hartuar këtë plan sipas nevojave dhe është një hap i pritur sa i përket nënshkrimeve nga qytetarët atje, verifikimit të nënshkrimeve dhe nëse krijohen kushtet për ndonjë referendum edhe ai do të ndodhë atje.  Konsideroj që nëse do të ketë zgjedhje atje pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë e kënaqshme”, tha Rashiq, duke shtuar se me këto zgjedhje do të ketë përfaqësim më normal në veri.

Tutje, sipas tij, pavarësisht se cilët do të zgjidheshin kryetarët, ministri që ai drejton do të bashkëpunojë me të gjithë.

Ai ka përjashtuar mundësinë e përsëritjes së ngjarjeve të shtatorit, kjo për faktin se i gjithë faktori ndërkombëtarë tashmë është i sensibilizuar për këto ngjarje.

Rashiq, ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë nëse ftohet në përpilimin e draftit të Asociacionit.

“Prej fillimi kam thënë se obligimet ndërkombëtare nuk mund të fshihen. Pra ai dokument pavarësisht se si quhet Asociacion apo vetmenagjim kjo është relevante. Unë konsideroj që në arenën ndërkombëtare do të shihej si një hap i madh i Kosovës kur do të nis hartimi i draftit të Asociacionit dhe mendoj se një çështje e tillë do ta fuqizojë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha Rashiq.

Ndryshe, javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.

Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona./RTK/