Botë

Ministrat e Financave të G7-ës zotohen për mbështetje për Ukrainën

By GAZETA SCANNER 1

May 11, 2023

Udhëheqësit financiarë të Grupit të Shtatë ekonomive të përparuara (G7) po diskutojnë mënyrat për të mbështetur Ukrainën dhe për t’i bërë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës, teksa u mblodhën për një samit në Japoni të enjten.

Ministri i Financave i Ukrainës, Serhiy Marchenko, ishte pjesëmarrës në këtë takim përmes një video-lidhjeje në sesionin e parë të bisedimeve të G7-ës në qytetin bregdetar Niigata.

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se vendet e G7-ës “do të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa duhet” për t’i dhënë fund luftës.

Udhëheqësit do të shqyrtojnë mënyra për të parandaluar Rusinë dhe vendet e tjera që të anashkalojnë sanksionet kundër Moskës për pushtimin e saj, u tha gazetarëve ministri japonez i financave Shunichi Suzuki.

Lufta dhe pasojat e saj në ekonominë globale, krizat e borxhit në vendet në zhvillim dhe ngërçi në Uashington mbi borxhin kombëtar janë në krye të agjendës së tre ditëve të bisedimeve nga ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të G7-ës.

Një gamë e gjerë temash, që nga ndryshmet klimatike e deri te lehtësimi i borxhit, pritet të shqyrtohen në këtë takim.

Duke folur përpara se të fillonin takimet me dyer të mbyllura, Yellen tha se një nga prioritetet e saj ishte të theksonte rëndësinë e zgjidhjes së krizës.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha të mërkurën se ai dhe udhëheqësit e Kongresit patën një takim “produktiv” të martën në përpjekje për të rritur kufirin e borxhit të vendit. Biden tha se është “absolutisht i sigurt” se vendi mund të shmangte një falimentim. Yellen tha gjithashtu se ka “shumë shpresë” se problemi mund të zgjidhet me kohë.

Yellen gjatë këtij samiti do të përpiqet të qetësojë homologët e saj për dështimet e fundit të bankave në SHBA që kanë ngritur shqetësimet mbi rreziqet për sistemin financiar global.

Ajo tha se investimet “historike” të Biden në modernizimin e infrastrukturës amerikane ishin një hap drejt përmirësimit të qëndrueshmërisë së një ekonomie, e cila u luhat shumë gjatë pandemisë së COVID-19.

Edhe ekonomitë e tjera të G7-ës po luftojnë me inflacion, duke i detyruar bankat e tyre qendrore të rrisin normat e interesit.

Udhëheqësit financiarë të G7-ës u takuan vetëm një muaj më parë, në Uashington gjatë takimit vjetor të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Atje, ata përsëritën angazhimin e tyre për të ndihmuar ekonomitë të përballen me ndikimin e luftës në Ukrainë, për të ndihmuar vendet me borxhe të mëdha të zgjidhin cenueshmërinë e tyre financiare, të forcojnë sistemet globale shëndetësore dhe të ndihmojnë në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Të ftuar të tjerë në takimet në Niigata përfshijnë Bashkimin Evropian, FMN-n dhe Bankën Botërore, si dhe ministrat e financave të Brazilit, Indisë, Indonezisë, Koresë së Jugut dhe Singaporit./REL/