Lajme

Minishengeni – izolim për Kosovën

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, ka kritikuar takimin e djeshëm të liderëve të disa vende të Ballkanit që  u mbajt në Tiranë, i quajtur Minishengeni ballkanik.

Në një postim të tij në Facebook, ai shkruan se ideja e Minishengenit ka për qëllim ta izolojë shtetin e Kosovës dhe ta paraqesë Kosovën si delja e zezë në Ballkan.

Postimi i tij i plotë:

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia përdori dy argumente kryesore për ta luftuar shtetin tonë.

1. Sipas Beogradit, krijimi i shtetit të Kosovës do të prodhojë radikalizëm islamik që do ta rrezikojë rajonin dhe Evropën nga terrorizmi; dhe

2. Argumenti i dytë i Beogradit ishte, se krijimi i shtetit të Kosovës do të prodhojë destabilitet në rajon.

Tani me ndihmën e Edi Ramës, Vuqiçi po synon të arrijë dy qëllime. E para, që ta izolojë Kosovën me shtetet anëtare të Minishengenit dhe ta paraqes atë si “delen e zezë të Ballkanit”; dhe e dyta, Serbia si fuqi ekonomike në rajon (48 miliardë GDP), të krijojë supremaci ekonomike dhe vazalitet në Ballkan.

Pra, prapa idesë së Minishengenit fshihet izolimi i Kosovës në rajon, supremacia ekonomike e Serbisë dhe sabotimi i procesit integrues të rajonin në BE, që me automatizën krijon hapësira për Rusinë dhe vendet tjera të lindjes.

Argument shtesë: Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) të cilën e kanë nënshkruar të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën (2016), parasheh lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Pse tash kemi nevojë për Minishengenin, kur të gjitha këto parashihen në MSA.

Dallimi qëndron se MSA e ka selinë në Bruksel, ndërsa Minishengeni e ka selinë në Nish.

Minishengeni në vetvete përmban largimin e Ballkanit nga Brukseli dhe krijimin e hapësirës për Rusinë dhe aleatin e saj Serbinë.