Op/Ed

Minat dhe lëndët luftarake të paplasura për shumë familje ishin tragjike edhe pas luftës

Shkruan: Lulzim Sahiti

Si pasojë e luftës së vitit 1998-1999, komuna e Shtimes është shoqëruar me pasoja mjaft të rënda nga minat dhe lëndët luftarake të ushtrisë jugosllave që ishin shpërndarë në mënyrë të dukshme dhe të padukshme në zona të ndryshme. Si pasojë e tyre shumë të rinj e të reja kanë humbur jetën dhe disa u gjymtuan përgjithmonë duke humbur këmbët, duart ose sytë. Shumica rasteve kishin ndodhur kryesisht në pjesën perëndimore përgjatë aksit rrugor Shtime-Belinc-Carralevë-Duhël, në një gjatësi prej rreth 10 km. Një kërcënim i tillë serioz për jetën e njerëzve, kafshëve shtëpiake dhe të egra, ishin edhe vitet e pasluftës dhe një fat i tillë ka përcjellur disa djem e vajza të reja, të cilët pësuan nga minat e Ushtrisë Jugosllave. Një zonë mjaft e rrezikshme me mina e municione thërmuese si dhe mbetje të materialeve luftarake ishte te Kompleksi i Pishave në Shtime. Në këtë lokacion gjatë gjithë luftës kanë qenë të pozicionuar trupat e Ushtrisë Jugosllave që vepronin në kuadër të Brigadës së Mekanizuar 243. Afër këtij pozicioni ushtarak serb kanë banuar shumë familje shqiptare, në mesin e tyre prej vitit 1991 jetonte edhe familja Halili e ardhur nga fshati Topillë. Mirëpo duke parë rrezikun nga bombardimet e aviacionit të NATO-s që ishin shpeshtuar në këtë vend, kjo familje ishte shpërngulur përkohësisht te disa të afërm në Lagje të Pajtimit. Me të marrë vesh se forcat serbe ishin tërhequr nga pozicioni që kishin qenë te Pishat e Shtimes, familja Halili më 11 qershor 1999 ishte kthyer në shtëpi të vet.

Shaban Halili në vend që të shijonte lirinë, në ditën e parë të çlirimit kishte humbur jetën tragjikisht nga minat serbe 

Siç dihet mirëfilli, dita e nesërme ishte ditë gëzimi për gjithë banorët e komunës së Shtimes, meqë forcat policore dhe ushtarake serbe me gjithë makinerinë e tyre ishin detyruar të tërhiqen njëherë e përgjithmonë nga Kosova. Mirëpo për familjen Halili, kjo ditë historike ishte shndërruar në tragjedi familjare ngase si pasojë e rënies në kontakt me mina, më 12 qershor 1999, rreth orës 17:00 kishte humbur jetën 13-vjeçari, Shaban Jahir Halili, kurse motra e tij, Mihrije Halili (15-vjeçare) ishte plagosur në dorën e djathtë, në të dy këmbët dhe bark. Pas dhjetë dite, Mihrije Halili nga një shoqatë humanitare ishte dërguar për shërim të plagëve në Firence të Italisë.

Mihrije Halili në Spitalin e Firences gjenë shërimin e plagëve të shkaktuara nga minat e Ushtrisë Jugosllave

Vetëm tri ditë pas kthimit nga Çegrani i Maqedonisë së Veriut, një rast tjetër tragjik i kishte ndodhur edhe familjes Tafolli, e cila ishte vendosur në shtëpinë e vet, në Bashkësinë e Pestë në Shtime. Fëmijët e kësaj lagje, më 22 qershor të vitit 1999 kishin dalë bashkërisht për të lujtur. Me këtë rast, kishin hyrë në Kompleksin e Pishave të Shtimes dhe pikërisht, në ora 9:00, Mehdi Sejdi Tafolli, 14 vjeçar kishte rënë në minë nga e cila kishte marrë plagë vdekjeprurëse. Së bashku me te kishin qenë edhe fëmijët tjerë të kësaj lagje: Aziz Idriz Qerkini (10 vjeç), i cili ishte plagosur rëndë në këmbën e djathtë, kurse Halil Nezir Qarri kishte marrë plagë në trup, ndërsa Remzi Sylejman Selimi kishte marrë plagë të lehta.

Në kohën e bombardimeve të NATO-s, një vend tjetër që ishin të vendosur pjesëtarët e Brigadës së Mekanizuar 243, ishte Kodra e Gllavicës. Me përfundimin e luftës, në këtë vendbanim nisën edhe banorët të kthehen në shtëpi të veta. Njëri prej tyre ishte edhe Shefki Hamëz Krasniqi (36-vjeçar), i lindur në fshatin Karaqicë por me vendbanim prej vitit 1985 në Gllavicë. Ai më 14 qershor të vitit 1999 nga shtëpia ishte nisur për te ara e vet, e mbjellur me grurë. Ndërkohë, rreth orës 11:00, Krasniqi niset për t’u rikthyer në shtëpi dhe te vendi i quajtur “Udha e lugut” në Gllavicë, kishte rënë në një minë, e cila fatëkeqësisht i kishte sjellur vdekjen tragjike.

Në kohën kur e gjithë Kosova festonte ditët e lirisë, Xhevdet Smajli me bashkëluftëtarët e tij bënte deminimin e zonave për të lehtësuar kthimin e banorëve të zhvendosur në shtëpi të veta

Në pranverë të vitit 1999, në kuadër të Zonës Operative të Nerodimes, ishte themeluar Njësiti për Deminim. Për këtë sektor me trajnime ishte kujdesur, shefi i Zonës, Hysen Shahini, përndryshe ish-oficer i armatës jugosllave. Me këtë rast, ky njësit gjatë luftës kishte bërë deminimin e zonave të rrezikshme dhe menjëherë pas përfundimit të saj kishte vazhduar punën në terren për deminimin e zonave të minuara nga forcat serbe. Me të përfunduar të deminimit tek Plantacioni i Pemëve në Shtime, pas rastit tragjik të Shefki Krasniqit, ky njësit me urdhër të shefit të ZON-së, Hysen Shahini kishte shkuar më 16 qershor për deminim në Gllavicë meqë popullsia civile me të madhe kishte filluar të kthehen në shtëpi të veta. Në të majtë të rrugës, nga fshati Rashincë deri në Koshare të Ferizajt, ushtria jugosllave kishte minuar këtë zonë. Pra, tri rende me mina kishin vendosur nëpër ara. Në ditën e gjashtë, më 21 qershor 1999, rreth orës 11:00, në fshatin Gllavicë kishin nisur punën si zakonisht me detektor të bëjnë deminimin e pronave private dhe gjatë pastrimit të një terreni të vështirë me bar e shkurre, pjesëtari i UÇK-së, Hetem Rexhep Ismajli nga Mollopolci kishte rënë në një minë kundër këmbësorisë “PMR-2”. Nga fuqia e shpërthimit, atë e kishte ngritë lartë në ajër duke e plagosur rëndë në të dy këmbët, kurse prapa tij ishte përgjegjësi i këtij Njësiti që asokohe kishte mbushur 18-vjet, Xhevdet Ali Smajli nga Mollopolci. Atë e kishte goditur në të dy sytë dhe si pasojë e saj kishte humbur të pamurit përgjithmonë. Të pranishim gjatë deminimit në këtë lokacion ishin edhe dy pjesëtarë tjerë të UÇK-së, Rrahman Krasniqi nga Duga dhe Halil Ahmeti nga Ferizaj, të cilët për fat kishin shpëtuar pa asnjë lëndim, meqë kishin qenë të ndarë në dy grupe.

Duke kujtuar çastin tragjik të atij shpërthimi, Smajli rrëfen: ”Në momentin kur ka eksploduar mina, kam pësuar goditje të fuqishme dhe mua menjëherë më ka humbur pamja, ndërsa vetëdija jo. Më kujtohet që kam pasur dhimbje të mëdha dhe i kam lutur shokët që të më vrisnin se s’mund ta duroja dhimbjen. Më pas më ka humbur edhe vetëdija, e cila m’u rikthye deri sa më kanë çuar në spitalin e Ferizajt. Nga aty më kanë transferuar në spital të Prishtinës. Këtu kam qëndruar dy ditë dhe më pas familjarët më kanë dërguar në Kukës. Nga këtu më dërguan në Klinikën Gjermane “Katharinenhospital” në Stuttgart, ku brenda gjashtë javëve pata dy operacione kirurgjike përmes të cilave u munduan të ma rikthenin formën e kokës dhe të ma shpëtonin jetën, sepse për sytë më nuk kishte shpresë”, tregon luftëtari i lirisë, Xhevdet Smajli.

Në mesditën e 21 majit të vitit 2000, tre fëmijë të familjes Jashari nga fshati Dugë ishin nisur në mal për të marrë dru. Fatkeqësisht zona kishte qenë e minuar, ku në vendin e quajtur “Kodra e Gatë” kishte rënë në mina, Florije Bislim Jashari (17-vjeçare). Së bashku me te, kishte qenë edhe e matra, Dashurije Jashari dhe i vëllau Ramiz Jashari, të cilët kishin marrë lëndime trupore. Si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë Florija, ishte dërguar menjëherë në Qendrën Klinike të Spitalit të Prishtinës, ku viktima kishte ndërruar jetë më 29 korrik të vitit 2000.

Në Bashkësinë e Tretë të Shtimes, fëmiu Elmi Ejup Xhema ishte vetëm 12-vjeçar kur humbi këmbën dhe dorën e majtë. Ishte muaji maj i vitit 2001, kur ai shkeli në një minë të vendosur nga ushtria serbe në oborrin e shtëpisë së tij, gjatë kohës së luftës. “Kur dola nga shtëpia të luaj….edhe hasa në minë, rashë në të, më nuk dita asgjë, veç më është zbardhur. Tani të shtëpisë kanë dalë të shohin se çka është bërë, pastaj nuk kam ditur asgjë deri kur më kanë dërguar në spitalin e Prishtinës. Atje kam marrë vesh se çka ka ndodhur me mua. Pasi më ndodhi kjo, nuk kisha vullnet (për shkollë), më humbi motivi dhe e lashë krejt”, rrëfen Xhema. Që nga dita kur shkeli në minë, ai e braktisi shkollën dhe nuk u kthye më kurrë. Për të vënë proteza, në vitin 2002 Xhema kishte qenë në qytetin Osnabrück të Gjermanisë.

Në kujtim të fëmijëve që kanë humbur jetën apo janë gjymtuar përgjithmonë si pasojë e minave, do të ishte mirë të ngritet një pllakë përkujtimore në Kompleksin e Pishave në Shtime për të kujtur barbarinë e shtetit të Serbisë. Jo rastësisht thuhet: “Historia që harrohet, mund të përsëritet!” Prandaj, t’i kujtojmë me nderë e përherë fëmijët tanë që ishin viktimë e gjenocidit serb.