Milionerja amerikane, Abigail Disney, trashëgimtare e pasurisë së familjes Disney dhe donatore e rëndësishme e Partisë Demokratike të ShBA-së, njoftoi të enjten se ajo do t’i pezullojë donacionet për demokratët derisa presidenti Joe Biden të tërhiqet nga gara për zgjedhjet e nëntorit.
“Ky është realizëm, jo mungesë respekti” – tha ajo në televizionin CNBC, duke shtuar se “nëse Bideni nuk tërhiqet, demokratët do të humbin”. “Për këtë jam absolutisht e sigurt. Pasojat e humbjes do të jenë vërtet të llahtarshme” – shtoi zonja Disney, raporton gazeta “The Guardian”.
Në deklaratën e saj, Disney tha se nënpresidentja Kamala Harris do të mund të ishte kandidate alternative për ta mposhtur republikanin Donald Trump. “Nëse demokratët do të toleronin ndonjë mangësi të përceptuar të saj madje për një të dhjetën sa i kanë toleruar ato të Bidenit… ne mund t’i fitojmë këto zgjedhje me shumë dallim” – shtoi ajo.
Tash për tash, Disney përfaqëson një pakicë të donatorëve, por brenda fushatës së Bidenit, një përpjekje e qartë dhe e bashkërenduar është duke u zhvilluar për ta zvogëluar panikun në mesin e financuesve të fushatës.
Të hënën, zyrtarët e fushatës zhvilluan një telefonatë me qindra prej donatorëve kryesorë të demokratëve, sipas agjencisë “Reuters”. Në telefonatë, ekipi i Bidenit thuhet se premtoi që do ta bënte presidentin më të dukshëm në salla dhe gjatë intervistave për ta risiguruar publikun.
Pavarësisht nga garancitë, thuhet se zyrtarët e fushatës u detyruan që të adresonin pyetje “të mprehta” nga donatorët, përfshirë atë se “a mund t’ia dalë presidenti gjatë fushatës dhe në një mandate tjetër”.
Sipas agjencive “Reuters” dhe “Associated Press”, një thirrje tjetër me rreth 40 donatorë të mëdhenj gjatë fundjavës u bë e tensionuar, pasi menaxheri i fushatës së Bidenit u pyet nëse do të ofrohej rimbursim, nëse Bideni nuk garon në zgjedhje.
Në ditët e mëpastajshme, një grumbullues i rëndësishëm i fondeve për fushatën e Bidenit tha se disa donatorë po merrnin vesh se sa pak ndikim kishin ata në këtë situatë. “Ka shumë njerëz që mendojnë se ata janë më të rëndësishëm se që janë në të vërtetë” – tha grumbulluesi i fondeve.