Botë

Miliona amerikanë drejt qendrave të vaksinimit për të marrë dozën shtesë të vaksinës

Miliona amerikanë kanë filluar të zënë radhën për vaksinën përforcuese të kompanisë Pfizer vetëm disa orë pasi Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve vendosi që vaksina të jetë e disponueshme për personat e moshës mbi 65 vjeç, disa kategori punonjësish të vijës së parë dhe personat me probleme të caktuara shëndetësore.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden u bëri thirrje 60 milionë amerikanëve që kualifikohen, të bëjnë vaksinën shtesë ndaj COVID-19ës.

Në mbarë Shtetet e Bashkuara, amerikanët që kualifikohen po zënë radhën për të marrë dozën shtesë të vaksinës Pfizer ndaj COVID-19ës. Disa prej tyre kanë qenë duke pritur prej orësh.

“Mendoj se të gjithë duhet bëjnë vaksinën shtesë sa më shpejt”, tha Carol Carson, e vaksinuar me dozën shtesë.

Vetëm 24 orë më parë, një komision i Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve autorizoi vaksinën shtesë të kompanisë Pfizer për personat mbi 65 vjeç, personat me probleme afatgjata shëndetësore dhe punonjësit e vijës së parë të ekspozuar ndaj virusit.

Vaksinat janë tashmë të disponueshme në spitale, në mbi 30 mijë qendra shëndetësore dhe farmaci në mbarë Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë vazhdojnë përpjekjet për të bindur të pavaksinuarit.

“Të pavaksinuarit ngarkojnë spitalet, pavionet e urgjencës dhe të kujdesit intensiv, duke mos u lënë hapësirë të sëmurëve nga zemra apo kanceri që të marrin shërbim shëndetësor”, tha Presidenti Biden.

Duke folur dje nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden u bëri thirrje amerikanëve që kualifikohen që të bëjnë vaksinat ndaj COVID-19ës, dhe tha se do ta bënte vetë vaksinën përforcuese sa më shpejt të ishte e mundur.

“Ashtu si doza e parë dhe e dytë, doza shtesë është falas dhe lehtësisht e disponueshme”, tha Presidenti Biden, raporton VOA

Ndërkohë në qytetin e Nju Jorkut, shkollat po përgatiten për mungesa të mundshme të stafit, ndërsa do të hyjë në fuqi të hënën detyrimi i vaksinimit.