100 milionë euro euro.
Kaq është buxheti i AC Milanit, për transfere.
Por, shuma edhe mund të rritet nëse shitet edhe ndonjë nga futbollistët e gjigandit italian.
Me këto para, trajneri i ri Paulo Fonseca, synon t’i sjellë katër futbollistë në “San Siro”.
Gazzetta dello Sport raporton se kuqezinjtë duhet të nënshkruajnë me një qendërsulmues të ri për të zëvendësuar Olivier Giroud, plus një qendërmbrojtës, një mbrojtës të djathtë dhe një mesfushor me tipare mbrojtëse.
Joshua Zirkzee i Bolognës është objektivi kryesor në sulm dhe ka një klauzolë lirimi prej 40 milionë euro.
Për rolin e mesfushorit mbrojtës, prioritet është Youssouf Fofana i Monacos, i cili do të kushtonte rreth 25 milionë euro.
Kjo gazetë shton se Milani i ka vënë sytë te ish-qendërmbrojtësi i Fiorentinës, Igor, tani në Brighton. Braziliani u transferua në Angli për rreth 17 milionë euro verën e kaluar.
Emerson Royal, i Tottenham Hotspur është kandidati kryesor për rolin e mbrojtësit të djathtë, por kuqezinjtë nuk janë të gatshëm të arrijnë çmimin e kërkuar prej 30 milionë eurosh të Spurs dhe shpresojnë që çmimi i mbrojtësit të ulet gjatë verës.