Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence të shtunën mbrëma ka njoftuar se është tërhequr nga gara për president të SHBA-së.
“Është bërë e qartë për mua: kjo nuk është koha ime”, ka thënë Pence.
“Pra, pas shumë lutjesh dhe diskutimesh, unë kam vendosur të pezulloj fushatën time për president, sot”.
“Ne e dinim gjithmonë se kjo do të ishte një betejë e vështirë, por nuk jam penduar,” vazhdoi Pence duke i thënë audiencës, e cila reagoi me habi ndaj njoftimit dhe i dha atij duartrokitje të shumta.
Pence është kandidati i parë që largohet nga një garë që është dominuar nga ish-shefi i tij i kthyer në rival, Donald Trump, dhe betejat e tij nënvizojnë se sa shumë Trump e ka transformuar partinë.
Një ish-zëvendës president zakonisht do të shihej si një sfidues i frikshëm në çdo zgjedhje, por Pence nuk mundi të gjej mbështetje.