Lajme

Mihali shpërndan fjalimin e Kurtit, ku mediat sulmohen se financohen nga “para të pista”

By GAZETA SCANNER 1

September 28, 2024

Dejona Mihali, koordinatore e fuqishme e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, ka shpërndarë fjalimin e kryeministrit Albin kurti, të cilin e mbajti në takimin e Internacionales Socialiste.

Mihali e ka shpërndarë fjalimin, ku Kurti bëri një akuzë të rëndë në drejtim të mediave kosovare.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si socialdemokratë dhe shtete socialdemokrate duhet ta ndjekim” – ka thënë Kurti në fjalim.