Lajme

Miftaraj për deklaratën e Haxhiut: Ministrja demanton vetveten dhe vartësit e saj

By GAZETA SCANNER 1

July 11, 2024

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila për Ekonomia Online, kishte reaguar pas publikimit të raportit të IKD-së “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”).

Miftaraj ka thënë se ministrja Haxhiu e demanton veten dhe vartësit e saj.

“Mund të them që ministrja e demanton vetveten, por edhe vetë vartësit e saj. Sepse kur thotë ministrja e Drejtësisë se IKD s’ka informacion nëse kanë qenë pjesëmarrës anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, në politikëbërja apo në këto politika që është duke i krijuar Ministria e Drejtësisë, të njëjtit pothuajse me deklaratat e tyre në baza ditore duke i kritikuar KGJK-në, KPK-në, duke përmend edhe prokurorë e gjyqtarë me emra të përveçëm, e tregojnë atë që ka thënë IKD, por e kanë thënë edhe raportet ndërkombëtare”, tha Miftaraj në konferencën e publikimit të raportit “Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” (Problemet kushtetuese dhe ligjore me Projektligjin aktual)”.

Haxhiu kishte deklaruar se raporti i IKD-së nuk qëndron dhe se sipas saj IKD nuk i ka informacionet e duhura sa i përket bashkëpunimit me akterët tjerë për reformën në drejtësi.

Miftaraj tha se nuk është vetëm IKD që thotë se nuk ka një mirëbesim mes MD-së, KPK-së e KGJK-së në hartimin e politikave, por edhe OSBE, ambasadat, Zyra e BE-së, raportet e DASH-it, raportet e Komisionit Evropian, të cilët kërkojnë vazhdimisht të ketë mirëkuptim dhe harmonizim të qëndrimeve në raport me reformën në drejtësi.

Ai tha se presin që MD-ja të reflektojë sepse reforma në drejtësi është interes i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Na vjen keq që ministrja e Drejtësisë ka dhënë një deklaratë të tillë edhe pse nëse është një Organizatë Joqeveritare në Kosovë që ka informata për sistemin e drejtësisë, e cila ka qenë pjesë e të gjitha grupeve, takimeve, qoftë në grupe punuese qoftë në takimet tjera është vetë Instituti i Kosovës për Drejtësi. E përmendi kolegia por edhe kolegu gjatë prezantimit që po flasim për një numër të ligjeve të cilat i ka hartuar Ministria e Drejtësisë, si rezultat i Deklaratës së Zotimeve, në vend që këto Projektligje që prekun reformën në drejtësi t’i jepet një afat i konsultimeve publike së paku 30 ditë, e kanë shkurtu në 15 ditë. Fatkeqësisht, është vetëm IKD që ka dërguar komente tek këto Projektligje, sepse edhe OJQ-të tjera edhe grupet tjera të interesit, e kanë shumë problematike që në 6 projektligje të japin komente për 15 ditë”, tha Miftaraj.