Këshilla mjekësore

Metoda për të lehtësuar dhimbjet e forta gjatë ciklit menstrual

By GAZETA SCANNER 1

November 13, 2024

Dhimbjet menstruale (të periodave), ose siç njihen ndryshe me termin mjekësor “dysmenorrhea primare”, janë një nga ato momente të vëshira të muajit, që po të na jepej mundësia do i fshinim sa hap e mbyll sytë. Gjatë këtyre ditëve, shqetësimet janë të shumta, si për shembull: fryrje barku, dhimbje mesi, dhimbje në fund të barkut, të përziera, të vjella, diarre.

Por çfarë duhet të bëni për t’i lehtësuar ato?

Zbulojeni si më poshtë:

Kujdes me lëngjet dhe përdorimin e kripës Duke qenë se keni humbje lëngjesh gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme që t’i zëvendësoni ato. Prandaj mënyra më e thjeshtë është pirja e ujit, rreth 6-8 gota në ditë shpesh dhe nga pak. Kujdes duhet treguar me përdorimin e kripës. Kjo pasi kripa krijon lidhje kimike me ujin dhe rrit presionin e lëngjeve brenda qelizave të organizmit, duke e theksuar edhe më tepër ndjesinë e fryrjes gjatë kësaj periudhe.

Ndikimi i çajrave

Mund të përdorni gjithashtu për lehtësimin e dhimbjeve edhe çaj kamomili, ose xhinxheri. Po ashtu mjaft e këndshme në shije, edhe kur keni ndjesinë e të vjellave është uji me limon, kastravec, ose nenexhik. Hidratimi i vazhdueshëm i organizmit nuk është pozitiv vetëm për lehtësimin e dhimbjeve, por edhe për shëndetin në përgjithësi.

Dieta ushqimore

Shumë studime raportojnë që edhe një dietë e zgjedhur dhe e shëndetshme, luan rol të rëndësishëm për kapërcimin sa më lehtë të dhimbjeve menstruale. Këshillohet që të konsumohen më shumë ushqime antioksidante që ulin efektet inflamatore dhe ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve. Konkretisht rekomandohet që të konsumohen boronicat, qershitë, kungulli, domatet, produktet e peshkut që përmbajnë OMEGA 3, bishtajoret që janë një burim i mirë i proteinave me bazë bimore.

Ushqimet që duhet të shmangni

Gjatë periodave mund të keni shpesh dëshirë për të ngrënë ushqime të kripura, të ëmbla, ose të yndyrshme. Natyrisht që e mira është t’i shmangni. Gjithashtu duhet të bëni kujdes me sheqernat, kafeinën, duhanin, alkoolin, ushqimet e skuqura, fast foodet.