Ish-deputeti Bardhyl Meta, tha se po të donte Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike, vendi do të kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Sipas Metës, ftesa e Kurtit për takim me opozitën u bë vetëm për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet e Qeverisë, veçanërisht nga dështimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Kërkesa e Kurtit nuk ishte e sinqertë, ishte një lajthitje, një kurth për gjithë opozitën, po flamurin e mori PDK-ja. Ai ka dashtë gjithë opozitës me ia ba, ama ka arritur vetëm PDK-së. Kishte një super skandal, u lëshua një rast historik i jashtëzakonshëm për hyrje në Këshillin e Evropës dhe ai e kishte qëllimin që të tjetërsoj këtë temë dhe e zhvendosi vëmendjen prej Këshillit të Evropës”, tha Meta në Rubikon të Klan Kosovës.
Ish-deputeti, tha se nga Kosova do të kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si kusht i ri për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Rasti tjetër na pret me dy hendeqe të mëdha, ki me dërgu aprovimin për gjithë marrëveshjen ki me e dërgu Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, por kjo nuk ka me mjaftu, do të kërkohet nga Kosova themelimi i Asociacionit, prandaj mendoj se është humb një rast historik”, tha Meta.