Sport

Messi do t’i kishte fituar 15 Topa të Artë, po ta kishte etikën e punës së Ronaldos – thotë Evra

By GAZETA SCANNER 1

March 09, 2023

Lionel Messi do t’i kishte fituar 15 Topa të Artë deri tani, sikur ta kishte pasur etikën e njëjtë të punës si Cristiano Ronaldo, thotë Patrice Evra.

Rivaliteti Messi-Ronaldo po vazhdon t’i ndajë tifozët dhe analistët njëlloj, pavarësisht se Messi u bë kampion bote me Argjentinën në Katar 2022, pasi ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit e ka zgjedhur Ronaldon para yllit të Paris Saint-Germainit.

Qëndrimi i dytë i Ronaldos në Manchester United mbaroi në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi atij iu ndërpre marrëveshja në nëntor dhe portugezi tani luan në Arabinë Saudite për Al Nassr.

Por Evra beson se Ronaldo duhet të vlerësohet mbi Messin në listën e lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit.

Dua të shpjegoj pse unë gjithmonë them Ronaldo. Nuk është sepse ai është vëllai jonë, por është sepse jam i dashuruar me etikën e punës së tij”, tha Evra që dikur luante përkrah Ronaldos në United.

Ndiej se Messi, atij i dha zoti talentin dhe Ronaldos iu desh të punonte për këtë. Ai kishte talent por iu desh të punonte për të. Nëse Messi do ta kishte etikën e njëjtë të punës si Ronaldo, ai mbase do t’i kishte fituar 15 Topa të Artë deri më sot. Unë thjesht jam i dashuruar me njerëzit të punojnë zellshëm, prandaj edhe e zgjedh Ronaldon para Messit”, shpjegoi ai.

Pasi e frymëzoi Argjentinën drejt titullit të tretë të botës në Katar, Messi shihet si favorit për ta fituar Topin e Artë për herë të tetë rekorde.

Sulmuesi 35-vjeçar u zgjodh lojtari më i mirë në botë i FIFA-s për vitin 2022 javë më parë.

Por eliminimi i PSG-së nga Liga e Kampionëve pas dy humbjeve, 1:0 në Paris dhe 2:0 në Munih, në një të tetën e finales, ka bërë që Messi të kritikohet shumë përsëri.

Ronaldo, ndërkohë, e ka fituar Topin e Artë pesë herë gjatë karrierës së vet. Por 38-vjeçari nuk pritet të jetë më në garë për këtë çmim, pasi luan në një ligë si ajo saudite.