Lajmest-slider

Mësoni se çfarë vendimesh mori sot Qeveria e Kosovës

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën ka marrë disa vendime, në mesin e tyre një për policinë dhe një për veteranët e UÇK-së.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndër të tjerash unanimisht miratuam Platformën Vjetore të Politikave të Inteligjencës dhe Sigurisë, si parakusht për funksionimin e këtij sektorit të rëndësishëm për vendin”.

“Po sot, miratuam projekt rregulloren për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me strukturën e gradave të organizimit të brendshëm, veprim ky që përkon me zotimet tona për forcim dhe avancim të FSK-së”.

“Qeveria sot vendosi gjithashtu që nga kursimet dhe ndarjet buxhetore të këtij viti të ndajë shumën prej 2 milion e 52 mijë euro për kompensimin e shtesave në pagë për punën jashtë orarit për Policinë e Kosovës gjatë vitit 2018”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai ka thenë se në këtë mbledhje është miratuar edhe Rregullorja për shtesën e rrezikshmërisë në punë për Policinë e Kosovës që do të hyjë në zbatim bashkë me Ligjin e Pagave.

“Me vendim qeveritarë, sot u bë edhe ndarja e mjeteve financiare për Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së. Aprovuam në parim nismën për nënshkrimin e marrëveshjes financiare trepalëshe me Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Malit të Zi për vitin 2018, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar, IPA II mes Kosovës dhe Malit të Zi”, ka shkruar Haradinaj. /GazetaScanner/