Lajme

Mesazhi i emisarëve: Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshje normalizimi, ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë këtë

By GAZETA SCANNER 1

October 21, 2023

Kryeministri Albin Kurti sot priti në zyrën e tij pesë diplomatët perëndimorë që erdhën me qëllimin për të shtyrë përpara procesin e nisur të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, i cili pauzoi për shkak të sulmit terrorist në Banjskë ku u vra polici Afrim Bunjaku. Për këtë, Kosova ka akuzuar direkt Serbinë si përgjegjëse, derisa ka ofruar edhe prova për këtë. Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë deklaruar shpesh se procesi i pajtimit nuk mund të rinisë sikur s’ka ndodhur asgjë më 24 shtator.

Mesazhi që sollën sot dy emisarët e dërguar nga BE-ja, SHBA-ja, si dhe këshilltarët e dërguar nga kancelari Scholz, presidenti Macron dhe kryeministrja Meloni ishte se 24 shtatori s’e ndryshoi faktin që Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në një marrëveshje që u lehtësua nga BE-ja dhe u mbështet nga SHBA-ja.

“Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë këtë dhe as nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia hynë në një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit më herët këtë vit”, tha emisari Miroslav Lajçak pas takimit me Kurtin.

Lajçak e vazhdoi deklaratën e tij me kërkesën ndaj Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa vonesa dhe kushte.

“Kurti ka një përgjegjësi për të bërë progres në normalizimin e relacioneve nëse Kosova do të bëjë progres drejt BE-së. Tash ne duhet të theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa ndonjë vonesë. Pa këtë, nuk do të ketë progres të Kosovës në rrugën europiane”, tha Lajçak.

Sidoqoftë, pas pyetjeve të gazetarëve, Lajçak shtoi se sulmi terrorist ka ndryshuar shumë gjëra, por jo dialogun.

“Dialogu s’ka alternativë. Sulmi i Banjskës ka ndryshuar shumë gjëra. Dhe isha shumë i qartë që autorët duhet të përballen me pasojat. Dialogu duhet të vazhdojë”, ka deklaruar Lajcak.

Në një konferencë për media pas takimit të përbashkët me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Ëelch që ishin për vizitë në Kosovë, Kurti kishte deklaruar se dialogu me Serbinë s’mund të vazhdonte njëjtë pas 24 shtatorit.

“I informova senatorët se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk mund thjesht të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli tjetër i dialogut për normalizimit duhet tani ta mbajë në përgjegjësi aktit agresor të Serbisë. Duhet të merren hapa bazikë në mënyrë që dialogu të ketë së paku një shans për të pasë sukses”, tha Kurti, duke shtuar se duhet të ketë një qasje të balancuar në tryezën e diskutimeve.

Në kërkesën e saj të vazhdueshme për sanksionim të Serbisë për aktin agresor ndaj Kosovës, Osmani ka thënë se procesi i dialogut duhet të rimendohet pas sulmit terrorist që ndodhi.

“Tashmë janë bërë 12 vjet në dialog dhe është koha për reflektim sepse qasja e këtyre 12 vjetëve, e ka inkurajuar Vuçiqin që ai të përdorë dhunë dhe të kryejë akt agresioni ndaj Kosovës. Andaj nuk mund të sillemi kinse nuk ka ndodhur 24 shtatori. I gjithë procesi i dialogut duhet të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur më 24 shtator, duke e ditur se është shkelje e nenit 3 të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj”, tha Osmani.

Osmani kishte deklaruar në Spanjë gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian se s’mund të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pa u ndëshkuar për atë që shkaktoi më 24 shtator.

Sidoqoftë, Lajçak në deklarimin e sotëm për media tha se e dënojnë ashpër sulmin terrorist, duke përsëritur se qartë se të gjithë përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe që nga Serbia kërkojnë të bashkëpunojë plotësisht dhe veprime konkrete në këtë drejtim.

“Dhe këtu dua të them se sulmi terrorist kundër Policisë së Kosovës nga individë të armatosur përbën një eskalim të qartë dhe të paprecedentë. Ne i shprehëm ngushëllimet tona kryeministrit Kurti dhe dënuam fuqishëm sulmin e 24 shtatorit”, ka thënë Lajçak, duke shtuar se në takim e theksuan se deeskalimi dhe normalizimi janë më të nevojshëm se kurrë tani.