Sport

Mes Amerikës, Brazilit e Turqisë, Sergio Ramos në kërkim të aventurës së re

By GAZETA SCANNER 1

October 10, 2024

Konsiderohet si një prej mbrojtësve më të mirë në historinë e futbollit, mirëpo në moshën 38 vjeçare, pavarësisht se kërkon të luajë, është pa ekip.

“Shtatlarti” spanjoll, Sergio Ramos vijon të mbetet pa një skuadër, pas përfundimit të kontratës së tij, me “Andaluzianët” e Sevilla, në muajin qershor dhe tashmë kërkon me ngulm të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, mirëpo deri më tani gjithçka është në “udhëkryq”.

Sipas raportimeve më të fundit të prestigjiozes spanjolle, “El Chiringuito”, Ramos është i hapur për një kalim në Amerikë, Turqi apo Brazil, me katër klube të Serisë A braziliane, Vasco de Gama, Corinthias, Botafogo e Flamengo, që kanë bërë propozimet e tyre dhe janë në pritje të një përgjigje nga “ylli” i mbrojtjes.

Deri më tani asgjë nuk është e sigurt për të ardhmen e 38 vjeçarit, megjithatë sipas raportimeve të spanjollëve është mësuar se 4 herë fituesi i Champions League ka refuzuar kategorikisht transferimin në Arabinë Saudite dhe Meksikë.