Ekonomi

Merkel kundërshton sanksionet e ShBA-ve

Kancelarja gjermane Angla Merkel ka kritikuar sanksionet e ShBA-ve lidhur me gazsjellësin e ri.

“Ne i kundërshtojmë sanksionet jashtë territoriale, dhe jo vetëm këtë vendim të djeshëm. Edhe në lidhje me Iranin duhet të përballemi me të njëjtin problem. Dhe nuk shoh asnjë zgjedhje tjetër përveç zhvillimit të bisedimeve, për të treguar se nuk e miratojmë këtë praktikë dhe mënyrën se si funksionojnë këto sanksione jashtë territoriale”, tha Merkel.

Gazsjellësi i ri ruso-gjerman me gjatësi afro 1,200 kilometra, do të transportojë gaz natyror nën detin Baltik nga Rusia në Gjermani.

ShBA-ja e kundërshton këtë gazsjellës, sepse mendon se ai do të shtojë varësinë e Evropës për energji nga Rusia. Po ashtu, edhe disa vende të Evropës Lindore e kundërshtojnë këtë projekt.

Përndryshe, Senati amerikan miratoi të martën sanksione ndaj kompanive të përfshira në ndërtimin e gazsjellësit.

Ndërtimi i gazsjellësit ndodhet tashmë në një fazë të përparuar.