Kult

Mërgata mes dy realiteteve: “Vetëm në aeroplan ne jemi `në shtëpinë tonë`”

“Në Kosovë jemi “zviceranët” dhe në Zvicër jemi “kosovarët”. I vetmi vend ku jemi `në shtëpinë tonë`, është aeroplani, gjatë kohës sa fluturojmë mes dy vendeve”.

Mbrëmë ka hapur perdet për herë të parë në Cyrih festivali “Kino Kosova”.  Ky festival që synon prezantimin e filmave nga Kosova dhe nga diaspora, edicionin e parë e ka pasur vitin e kaluar, në Bernë.

Ndërsa këtë vit, me synimin për t`u rritur, festivali do të ketë, krahas Cyrihut – ku ka filluar më 19 gusht dhe vazhdon deri më 22 gusht – edhe një edicion në Bernë (shtator) dhe një tjetër në Gjenevë (tetor).

Në mbrëmjen e parë, për publikun e mbledhur në kinemanë “RiffRaff” të Cyrihut, janë shfaqur dy filma të gjatë dokumentarë. Bëhet fjalë për filmin “Zgjimi në Mars”, të regjisores Dea Gjinovci dhe “Zvicra”, të regjisorit Fisnik Maxhuni, i cili jetpn në Zvicër.

Filmi i parë bën fjalë për një djalë 10-vjeçar rom (shqipfolës) që jeton në Suedi i cili përpiqet të përballojë sindromën misterioze që i ka hedhur dy motrat e tij në gjendje kome. Ndërsa e gjithë e ardhmja e familjes varet nga një kërkesë për azil në pritje, djali i vogël ëndërron të ndërtojë një anije kozmike për t’i lënë të gjitha pas…

Ndërsa filmi “Zvicra” është një kolazh mbresëlënës që e vë në fokus temën e identiteteve, kryqëzimit të tyre dhe ndërthurrjes në mes të imazheve, ideve, synimeve dhe realitetit.

Autori ka marrë disa personazhe, të gjithë shqiptarë me prejardhje nga Kosova, që jetojnë në Zvicrën frankofone. Ai  u ka shtruar atyre disa pyetje, në dukje të zakonshme por që, me përgjigjet e tyre shpalosin një realitet shumë kompleks, shkruan albinfo.ch. Bëhet fjalë për problemin e identiteteve, integrimit, ambientimit, martesave të përziera dhe dilemën e përjetshme se “ku jemi në shtëpinë tonë: Këtu, në Zvicër, ku po jetojmë apo në Kosovë, ku i kemi rrënjët por ku, të shumtën, kalojmë vetëm pushimet.

Në shumësinë dhe diversitetin e përkufizimeve që personazhet realë japin rreth kësaj problematike, më i thelli dhe më domethënësi ishte ai që e thotë një vajzë e re, punëtore arke në një market. Sipas saj “ne kudo jemi të huaj: Në Kosovë jemi “zviceranët” dhe në Zvicër jemi “kosovarët”. I vetmi vend ku ne ndoshta jemi `në shtëpinë tonë`, është aeroplani, gjatë kohës sa fluturojmë mes dy vendeve”.

Ky film kap thelbin e problemeve që karakterizojnë jetën në mërgim, mes dëshirave, ëndrrave, synimeve të bukura dhe një realiteti kokëfortë që i kundërshton ato.

Duke folur rreth aspektit të organizimit të festivalit të ri, Sabahet Meta, drejtues i organizatës “Kinokosova”, thotë për albinfo.ch se “për të ardhmen synojmë që festivalin ta mbajmë paralelisht në të tri këto qendra: Cyrih, Bernë dhe Gjenevë”.

“Kinokosova” ka selinë në Bernë dhe qëndron prapa festivalit me të njëjtin emër, të themeluar vitin e kaluar.

I vetëdishëm për faktin se gushti nuk është muaji më i përshtatshëm për të tërhequr publikun  në kinema, Meta shton se megjithatë festivali ka bërë një jehonë të mirë këtu. Rreth tij kanë shkruar disa nga mediat kryesore të Zvicrës dhe disa të tjera ishin të pranishme në sallën e kinemasë “RiffRaff” të cilat shfaqnin interesimin e tyre për këtë aktivitet filmik.

Ai është i bindur se me këtë festival po jepet një kontribut në afirmimin në Zvicër të kulturës së njërit ndër komunitetet më të mëdha të huaja në këtë vend. “Pos për lidhjet tashmë të fuqishme mes dy vendeve, festivali shërben për t`i treguar publikut artdashës të Zvicrës se Kosova ka çfarë t`i ofrojë botës, edhe nga pikëpamja e artit, konkretisht, filmit”, përfundon Sabahet Meta.

Gjatë kohës sa po mbahet festivali, në Zvicër po qëndrojnë disa nga regjisorët kosovarë të filmave që po shfaqen në këtë festival. Ata do të jenë aktivë edhe në debatet dhe aktivitetet tjera shoqëruese të festivalit./Albinfo.ch