Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi po qëndron në Zvicër për takime me mërgatën në shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Siç ka njoftuar PDK, lideri i opozitës sot nga ora 13 e 30 do të marrë pjesë në manifestimin e organizuar nga Dega e PDK-së në Zvicër për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Paraprakisht, kreu i PDK-së sot ka njoftuar se ka takuar nëndegën e PDK-së në Gjenevë.
“Pritje e ngrohtë nga bashkatdhetarët në Gjenevë, ku takova strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë nëndegë, të cilët i falënderova për angazhimin dhe punën e shkëlqyer në rritjen e PDK-së në këtë kanton. Po ashtu, ata i urova për 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Festa me mërgatën, që e ka mbajtur gjallë vendin dhe kauzën atdhetare me kontributin e saj në çdo periudhë, është përherë kënaqësi”, ka shkruar Krasniqi në faqen e tij në Facebook.