Ekonomist-slider

Mehmeti: 2021-ta pritet të jetë një vit më pozitiv për ekonominë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se pandemia e COVID-19 tash e mbi një vit ka prekur shumë sektorë.

Ai në një intervistë për KlanKosova.tv ka thënë se ndikimi i koronavirusit është vërejtur që nga rënia ekonomike e regjistruar më 2020.

Por sipas tij gjërat pritet të ndryshojnë për vitin 2021.

“Për sa i përket vitit 2021, fatkeqësisht problemet me pandeminë po vazhdojnë të jenë të pranishme, mirëpo ekonomia është në përgjithësi e hapur, prandaj nëse vazhdohet me këtë ritëm mund të themi se pritet të jetë një vit më pozitiv për ekonominë sesa viti paraprak. Për më tepër, lehtësimi i qasjes në financa për sektorin privat përmes skemës së garantimit të kredive po ashtu pritet të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e aktivitetit ekonomik”, ka deklaruar Mehmeti.

Në këtë intervistë Mehmeti ka folur edhe për sektorin bankar dhe institucionet bankare, investimet e huaja direkte e deri te ndikimi i COVID-19 në këtë sektor.

INTERVISTA E PLOTË:

Cili ka qenë ndikimi i pakove ekonomike milionëshe të futura në ekonomi nga ana e Qeverisë dhe po ashtu edhe tërheqja e 10 përqind të mjeteve nga Trusti Pensional i Kursimeve?

Fehmi Mehmeti: Padyshim që pakot ekonomike dhe tërheqja e 10 përqind të mjeteve të Trustit Penisonal vlerësohet të kenë ndikuar në zbutjen e efekteve negative në ekonomi të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Sa është norma e interesit të kredive sot në Kosovë dhe cili është numri i institucioneve financiare që operojnë në vend?

Fehmi Mehmeti: Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.0 përqind nga 6.4 përqind sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar.

Struktura e sistemit financiar përbëhet nga gjithsej 121 institucione financiare, të cilat janë licencuar dhe regjistruar, si dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë bazuar në legjislacionin e aplikuar në Republikën e Kosovës dhe në kuadrin rregullativ në fuqi të BQK-së.

Viti 2020 sipas raporteve zyrtare ka shënuar 7.2 përqind rënie ekonomike. Si ka nisur 2021-ta sa i përket ekonomisë, a do të arrijë që të këndellet ekonomia dhe sa mund të jetë rritja maksimale ekonomike këtë vit?

Fehmi Mehmeti: Vlerësimet e deritanishme kanë treguar për një rënie ekonomike prej 7.2% për vitin 2020, mirëpo këto vlerësime janë në rishikim e sipër duke pasur parasysh edhe fluksin mjaft të madh të vizitave nga diaspora jonë gjatë festave të fundvitit, gjë e cila mund të ketë përmirësuar gjendjen deri në një masë kundrejt parashikimeve fillestare.

Për sa i përket vitit 2021, fatkeqësisht problemet me pandeminë po vazhdojnë të jenë të pranishme, mirëpo ekonomia është në përgjithësi e hapur, prandaj nëse vazhdohet me këtë ritëm mund të themi se pritet të jetë një vit më pozitiv për ekonominë sesa viti paraprak. Për më tepër, lehtësimi i qasjes në financa për sektorin privat përmes skemës së garantimit të kredive po ashtu pritet të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e aktivitetit ekonomik.

Sidoqoftë, performanca e ekonomisë edhe gjatë këtij viti do të jetë e lidhur ngusht me zhvillimet rreth pandemisë, prandaj sa më shpejtë që të tejkalojmë problemet me pandeminë aq më shpejtë ekonomia do t’i kthehet normalitetit dhe rritjes.

Duke pasë parasysh situatën me pandeminë, cili ka qenë funksionimi i sistemit financiar në vend?

Fehmi Mehmeti: Kriza ekonomike e gjeti sektorin bankar të Kosovës në një gjendje shumë të shëndoshë, të karakterizuar me shkallë të lartë të likuiditetit, nivel të lartë të kapitalizimit dhe me cilësi shumë të mirë të portofolit kreditor me një pjesëmarrje prej vetëm pak mbi 2 përqind të kredive joperformuese. Kjo bëri që sektori bankar jo vetëm që arriti të përballojë rreziqet e rritura, por edhe të marrë një rol kyç në procesin e rimëkëmbjes ekonomike.

Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë ishte shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e vazhdimit të kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaquan bankat. Gjatë vitit 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.47 miliardë euro, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar në dhjetor 2020 ishte 3.246 miliardë euro e cila paraqet një rritje vjetore prej 7.1% përqind.

Aktualisht, edhe pas ndërmarrjes së gjithë këtyre masave jo shumë të zakonshme për një sektor bankar dhe me një ekonomi e cila gjendet në një fazë recesioni, sektori bankar i Kosovës vazhdon të ketë nivel të lartë të qëndrueshmërisë dhe është i gatshëm të ushtrojë rolin e tij kyç në procesin e rimëkëmbjes ekonomike. Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike e aprovuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar parasheh një rol shumë të rëndësishëm për sektorin bankar. Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj pakoje bazohet në skemat e garantimit të kredive dhe subvencionimit të normave të interesit, të cilat do ta lehtësojnë dhe përmirësojnë rrjedhën e financimit bankar drejtë ekonomisë së vendit.

Si është trendi?

Fehmi Mehmeti: Gjithsej mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur vlerën prej 5.35 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 12.6 përqind.

Sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë tek publiku, besim ky i shprehur edhe me rritjen e vazhdueshme të depozitave. Në muajin dhjetor 2020, vlera e përgjithshme e depozitave ishte rreth 4.36 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.5 përqind.

Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.0 përqind nga 6.4 përqind sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar. Treguesit e shëndetit financiar vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë së këtij sektori në të gjitha aspektet. Vlen të theksohet posaçërisht cilësia e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.7 përqind, e cila shënoi rritje në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 2.0 përqind. Mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione për humbje nga kreditë mbetet në nivele të larta prej 141.4 përqind, që dëshmon për nivele adekuate të provizioneve në sektorin bankar.

Sektori bankar vazhdon të ketë tregues të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.5 përqind në tetor 2020, krahasuar me 15.9 përqind në vitin paraprak, i cili vazhdon të mbetet dukshëm mbi nivelin minimal rregullativ prej 12.0 përqind.

Pozita e likuiditetit të sektorit bankar mbetet në nivel të lartë. Raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në dhjetor 2020 ishte 39.8 përqind, që ishte lartë mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25.0 përqind.

Cila është vlera e investimeve të huaja direkte në 3 vitet e fundit dhe cili është ndikimi i tyre në ekonominë tonë?

Fehmi Mehmeti: Vlera totale e investimeve të huaja direkte gjatë tri viteve të fundit ka qenë 848.5 milionë euro. Vlen të theksohet se përkundër situatës së vështirë me pandeminë, investimet e huaja në vitin e kaluar kishin trend rritës, duke shënuar vlerën prej 321.7 milionë euro në krahasim me 254.6 milionë euro në vitin paraprak.

Investimet e huaja kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të çdo vendi, mirëpo vlera e tyre në Kosovë ende mbetet relativisht e ulët dhe kryesisht e përqendruar në sektorin e patundshmërisë.

Dhe, si e vleresoni vendimin e Qeverisë për masat e reja anti COVID-19? A është konsultuar BQK dhe cili mendoni se mund të jetë dëmi ekonomik i tyre?

Fehmi Mehmeti: Për masat e reja është shumë herët të dihet ndikimi i tyre në ekonomi.