17 shqiptarë pjesëtarë të UDB-së serbo-jugosllave e kishin torturuar për orë të tëra ish të burgosurin politik Mehmetali Rexhepi.
Fillimisht, në burgun e Prishtinës, kishte hyrë Bashkim Kursani e Ibush Kllokoqi dhe e kishin akuzuar Rexhepin për veprimtari kundër shtetit jugosllav.
“Pasandej erdhi Bashkim Kursani, Ibush Kllokoqi më përpara, e mori foton e Titos dhe e kthej ka unë. Tha ju na keni lodh, për sherr po lexoni dhe po e mashtroni popullin. Kështu tha Ibush Kllokoqi, i cili njëherë nuk përdori dhunë. Erdh Bashkim Kursani me një pallto të gjatë ishte dimër…”, tha ai në “Debat Plus”.
Më pas kishin filluar torturat çnjerëzore ku kishin marrë pjesë 17 UDB-ash, duke e goditur me grushte, shufra e këmbë karrigesh. Rexhepi i përmendi emrat e disa prej tyre: Ramadan Sermaxhaj, Refik Thaqi e Ramadan Syla.
“Pasi më kanë rrëzu, prej orës 22 deri 23 e 30, 17 UDB-ash kanë përdor dhunë ndaj meje, me shufra gome të mbushura me zallë, ai me këmbën e karriges njëri me njëparë tega njëfarë Ramadan Sermaxhaj. Mesin e tyre i përdorshin disa taktika thonin hajde numëro cili jam unë me radhë, unë në mes tyre. Derisa njëri si duket Refik Tashi (Refik Thaqi), një emër i jugosllavizuar, Thaqi e kishte por Tashi e thërrisnin serbët. Tha Ramadan bjeri violinës, qeti Ramadan Sylës, egërsinë”, tha ai.
Dhuna nuk u ndal për asnjë moment, madje u përshkallëzua edhe më tej duke e zhveshur Rexhepin e duke e shtrirë për toke e goditur pamëshirshëm.
Nga dhuna e tmerrshme që pjesëtarët shqiptarë të UDB-së, Rexhepit i kishte rënë të fikët.
“Nuk e kuptova çka iu dashke ajo violinë, ndër tavolinë kërcejshin si akrobatë pleshtat… Pas goditjeve serie goditjeve… ai e mori një ombrellë të zezë, e futi në prizë të rrymës, janë ngritë në këmbë edhe 5 a 6 a 10 janë mundu me mi desh teshat. Për mu ishte e trishtueshme e palejueshme, cenim i skajshëm i dinjitetit njerëzor ku preket thellësia e dinjitetit. Ma hoqën setrën, këmishën më lanë vetëm në brekë të fjetjes. Thash ndoshta është momenti por s’kisha mundësi për vetëvrasje. Më kanë shtri në dysheme, njëri më ka shkel në njërin krah tjetri në tjetrin krah, dy në këmbë dhe këmbën tjetër. Ai Ramadani e murr ombrellën dhe filloj nga qafa, ajo të shkaktonte trishtim dhe klithmë, ajo ta shtonte mbi 40 gradë temperaturën. Vazhdoi në bark e këmbë… jam bërë i gjithi ujë, më ka rënë të fikët. Më ka qitë nga lartësia ujë Sinan Rexhepi Zhegra. Kam ardhë pak në veti, derisa filluan të lodheshin edhe ata afër orës 00:00”, u shpreh ai.
Të gjitha këto tortura sipas Rexhepit iu bën për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare dhe kërkesës për më shumë të drejta për shqiptarët e Kosovës.