Pritja do të jetë e gjatë. Mediat britanike shkruajnë se fati i Armando Brojës, sipas gjithçkaje që po ndodh, do të vendoset në fund të asaj që quhet “Dritarja e Transferimit”.
Pra, shumë pranë orës 11 të 30 gushtit, sipas kohës britanike. Gjithçka duket e vështirë edhe pse në konkurrim ka hyrë një emër I ri.
Ipsuiç Taun është kthyer në Premier Ligë pas 22 viteve dhe kërkon të jetë gati.
Broja padyshim që është një zgjidhje mjaft e mirë, ndonëse pengesa kryesore mbetet kërkesa financiare e Çelsit.
Blutë e Londrës duan 30 milionë paundë për kartonin e sulmuesit shqiptar, një shifër që edhe në tregun anglez cilësohet e lartë për një lojtar që ka shënuar 8 gola në 57 ndeshje në Premier Ligë, që ka pasur një dëmtim të rëndë 18 muaj më parë, dhe që nuk u aktivizua thuajse fare tek Fulhami në fazën e dytë të sezonit të kaluar.
Trajneri I Çelsit, Enco Mareska, nuk e ka 22-vjeçarin në planet e tij, dhe madje i ka hequr edhe fanelën me numrin 18.
Përveç Ipsuiçit, për Brojën besohet se interesohen Evertoni, Uolvesi, Milani e Shtutgarti, ndaj edhe londinezët shpreson të fitojë sa më shumë prej tij.
E sigurt duket vetëm që shqiptari do të largohet nga klubi ku u formua si futbollist.