Lajme

Me anë të paraburgimit synohet parandalimi i dhunës në familje e vrasjes së grave

By GAZETA SCANNER 1

May 05, 2024

Pas vrasjes së dy grave në Kosovë brenda 1 jave, gjatë këtij muaji institucionet e drejtësisë kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve për parandalim të tyre.

Kryeprokurorët e Kosovës tashmë kanë kërkuar që prokurorët në secilin rast, ku të dyshuarit ngarkohen me vepra të dhunës në familje, e armëmbajtjes pa leje, të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

“Ju informoj se me qëllim të parandalimit dhe të luftimit të kryerjes së këtyre veprave penale është kërkuar që prokurorët e shtetit, në secilin rast ku ka bazë ligjore, të kërkojnë caktimin e paraburgimit për rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjeve pa leje, si dhe të zbatojnë në mënyrë strikte udhëzuesin për politikë ndëshkimore”, tha zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

E në një përgjigje të këtij institucioni, dërguar televizionit rreth punës së koordinatorëve nëpër Prokurori që merren ekskluzivisht vetëm me rastet e dhunës në familje, nga zyra e Kryeprokurorit kanë thënë se puna e tyre ka ndikuar në rritje të raportimit të këtyre rasteve.

E vetëm gjatë vitit 2023, Prokuroritë kishin 4 mijë e 167 raste me gjithsej 4 mijë e 885 persona dhe se 82.43% e rasteve janë zgjidhur.

“Në PTH në Prishtinë, për shkak të numrit të madh të rasteve është themeluar Njësit i veçantë prej 4 prokurorëve dhe stafit mbështetës, në PTH në Prizren, dy prokurorë ndërsa nëpër PTH tjera nga një prokuror. Pas krijimit të këtyre politikave, trajtimi i këtyre rasteve është përmirësuar shumë, meqë prokurorët janë trajnuar dhe specializuar vetëm për këto raste, gjë që ka rritur profesionalizmin në trajtimin e tyre. Këta prokurorë, përveç këtyre detyrave, njëkohësisht shërbejnë edhe si këshillëdhënës për prokurorët tjerë, për punët që dalin nga kujdestaritë, por edhe në punë të përditshme, ashtu që ju ndihmojnë prokurorëve të bëjnë hulumtimin dhe gjetjen e elementeve të dhunës në familje tek rastet tjera. Me punën e tyre në këto raste, prokurorët kanë ndikuar pozitivisht në shtimin e besimit në punën e prokurorive, që  përveç se është shtuar numri i rasteve që ndodhin, është shtuar edhe paraqitja e rasteve nga ana e të dëmtuarve. Duke iu dhënë prioritet absolut këtyre rasteve, duke kërkuar paraburgim në shumicën e rasteve, duke bërë ankesa kundër vendimeve të gjykatave dhe me veprime tjera, konsiderojmë se prokurorët janë duke kontribuar në parandalimin e këtij fenomeni”, thuhet tutje në përgjigje.

Por politikat që ky institucionet kanë zgjedhur për të ndikuar në parandalimin e rasteve të dhunës në familje e vrasjeve të grave, nuk po vlerësohen të duhura.

“Një tendecë e tillë është plotësisht e padrejtë për shkak se në mënyre të përgjithësuar, që të kërkohet  në mënyre uniforme për të gjitha rastet të caktohet caktimi i masës së paraburgimit prokuroria duhet ta dijë para së gjithash se paraburgimi është masë për sigurimin e të pandehurit në procedurë, pra edhe për cdo rast duhet të shiqohen të gjitha specifikat se a plotësohen kushtet konkrete që kërkohen me ligj për tu caktuar masa e paraburgimit a jo”, tha Naim Rudari, nënkryetari i Odës së Avokatëve.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala gjithashtu pajtohet se Kosova duhet të praktikojë masa të tjera më lehta që parashihen në Kodin e Procedurës Penale dhe ka një shpjegim për këtë.

“Në regjion Kosova njihet që më shumti cakton paraburgime, si Gjykatë të mos them 70- 80%, të propozimeve të prokurorisë, i miraton për caktimin e paraburgimit, që psh rast konkret kemi, në Kroaci ku vetëm 30% të rasteve, kur prokurori ushtron kërkesë për caktimin e paraburgimit, ndaj të pandehurit miratohet, te ne 70%, prandaj në të shumtën e rasteve kemi kur të pandehurit kur të lirohen nga paraburgimi, qytetarët kërkojnë të kompensohen edhe ai i shkakton dëm edhe buxhetit të Kosovës”, tha Hasan Shala, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit.

Megjithkëtë, nuk ishin të rralla rastet kur për shkak të neglizhimit të institucioneve përgjegjëse, përfshirë edhe Prokurorinë, gratë që kishin paraqitur bashkëshortët e tyre për dhunë në familje, kishin përfunduar të vrara.