Lajme

MD mohon se avokatët e ish-krerëve të UÇK-së paguhen jomjaftueshëm, thotë se Emmerson u pagua mbi 4 milionë euro

By GAZETA SCANNER 1

August 21, 2024

Ministria e Drejtësisë i ka cilësuar të pabaza kritikat ndaj tyre për pagesa të pamjaftueshme ndaj avokatëve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në një reagim të tyre thuhet se deri më tani kjo ministri ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro).

“Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës përmes këtij reagimi demanton lajmet e pabaza dhe tendencioze që po përhapen rreth pagesave për avokatët e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Për sqarim të opinionit publik, deri më sot, Ministria e Drejtësisë ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim. Pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta”, thuhet në reagim.

Sipas MD-së, avokati i cili u tërhoq nga mbrojtja e Kadri Veselit është paguar deri më tani “katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent”.

“Personat që tërhiqen nga detyra e tyre mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por paga e ulët nuk është një prej tyre. Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent)”, thuhet në reagim.

“Ministria e Drejtësisë vazhdon të punojë me profesionalizëm brenda kompetencave dhe kapaciteteve të saj, për të përmbushur të gjitha kërkesat e mbrojtjes për të gjithë ata që padrejtësisht po gjykohen nga Gjykata Speciale”, vijon reagimi.

MD ka theksuar se janë të përkushtuar të punojnë sa më mirë që të mbrohen interesat e ish-krerëve të UÇK-së.

“Për më tepër, Ministria e Drejtësisë me vëmendje të veçantë përcjell çdo veprim brenda Gjykatës Speciale dhe është e përkushtuar të bëjë punën më të mirë të mundshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ish-krerëve të UÇK-së, duke u siguruar që ata të kenë mbështetje të plotë në çdo hap të këtij procesi”, thuhet në reagim.