Op/Ed

Mbi “tradhtarin Rama” dhe “kosovarët e paarsyeshëm”

Nga: Blerim Latifi

1

Njerëzve u pëlqejnë analogjitë historike. Për shkakun se u duken qartësuese dhe shpjeguese, por meqë ato, si rregull, e injorojnë kompleksitetin e situatave të veçanta historike, në shumicën e rasteve rezultojnë të gabuara. Thënë me fjalë të tjera: analogjitë janë njëlloj sporti i dashur për dembelët në fushën e mendimit.

Edi Rama nuk është Esat Pashë Toptani i viteve 1913- 1920. As Ahmet Zogu i vitit 1924. As Enver Hoxha i vitit 1946. As Sali Berisha i viteve ’90. As Fatos Nano i takimit të mitizuar të Kretës. Edi Rama nuk e ka zorin e tyre, që të ketë nevojë të ecë rrugës së tyre. As Shqipëria e sotme nuk është në atë gjendje që t’i thotë po secilës kërkesë që mund t’i bëhet nga ndonjë horr shovinist i Beogradit.
Edi Rama ka përpara një hall tjetër të madh dhe gabimi i tij është se ka zgjedhur instrumente joefektive për ta trajtuar atë.

Cili është ky hall i madh?

Është fakti se Bashkimi Europian e ka stopuar, e ka ngrirë procesin e integrimit të Shqipërisë, duke e lënduar rëndë kështu ëndrrën tridhjetë vjeçare të saj për t’u bërë pjesë e këtij Bashkimi.Në këtë situatë, Rama po përpiqet të bëj diçka alternative, sa për t’ua mbajtur gjallë shpresën shqiptarëve.Dhe këtu qëndron gabimi i tij, sepse shpresa e vetme e shqiptarëve është integrimi europian dhe ajo nuk mund të ushqehet me surrogatet ballkanike të tij.

Sfida e pamerituar e “Closed Europe” nuk mund të kapërcehet me ‘Open Balkan”. Aq më pak duke shpresuar në partneritetin e kriptofashistit të Beogradit, Aleksandër Vuçiq.

2

Shqipëria dhe Serbia nuk kanë probleme të drejtëpërdrejta me njëra tjetrën dhe këtu qëndron shkaku pse Rama është i prirur t’i besojë Vuçiqit, ndërsa performimi i një pevaçi të plakur serb në Korçë i duket krejtësisht normal.

Problemi është se ne nuk mund t’i besojmë Vuçiqit, njësoj si Rama, jo vetëm për shkakun e të kaluarës, por, mbase, më shumë edhe për shkakun e të sotmes, kur shteti i Vuçiqit me të gjitha kapacitetet e tij mundohet ta minojë ekzistencën e shtetit të Kosovës.
Nuk mund të bësh poza normaliteti në një tryezë me njeriun që nuk lë gur pa lëvizur për të të shkatërruar.
Dhjetë vite më parë Kosova ishte bindur nga Bashkimi Evropian që të përfshihet në dialog me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, por duke lënë anash çështjen e njohjes së pavarësisë.
Por çfarë ndodhi nga ai proces dialogu? Robert Austin, njëri nga specialistët më të mirë perëndimorë për çështjet e Europës Juglindore, e thotë në librin e tij të fundit : “Rezultatet e këtij dialogu ishin një sërë hapash të vegjël që me kohë e grryenin sovranitetin e Kosovës”.
Pse kjo grryerje? Sepse kemi pranuar të sillemi si joshtet edhe pas jemi bërë shtet.
Tash e njëjta gjë po na kërkohet : lëreni anash çështjen e njohjes, ejani të merremi vesh për gjëra të vogla, se mbase një ditë Serbia bëhet e mirë dhe e njeh Kosovën. Nuk kemi arsye për ta besuar këtë hamendje. Sepse, së paku, jemi në gjendje të bëjmë dallimin midis dëshirave dhe fakteve.Dje Rama e përmendi shprehjen popullore shqiptare “hajde babë t’i kallxoj arat”. Kur është puna te Serbia, askush s’mundet që të na e kallxoj Serbinë. Sepse askush nuk e njeh më mirë se ne.