Nuk i prish shumë punë që nuk shkëlqeu në Evropian.
Kylian Mbappe e kishte vendosur që më parë se do të ishte lojtar i Real Madrid, e po ashtu klubi madrilen e kishte bërë zgjedhjen.
Shqetësimet më të mëdha për kapitenin e Francës janë se duhet të provojë veten çdo ditë para tifozëve, dhe se u detyrua të bënte një sakrificë financiare për këtë fanelë, teksa mediat, që janë pranë klubit madrilen, shkruajnë se francezët e PSG ishin gati t’i jepnin një kontratë 4-vjeçare me rrogë 100 milionë euro në sezon, dhe kjo neto.
Në “Bernabeu”, rroga e tij do të jetë vetëm 15 milionë euro, më e mira e ekipit, por e përmbajtur për të mos dëmtuar ekuilibrat e skuadrës.
Gjithsesi, në kontratën 5-vjeçare është një klauzolë sipas së cilës Mbappe merr 100 deri në 115 milionë euro vetëm për firmën, që do të thotë 20 deri në 25 milionë euro në vit e nga ana tjetër, drejteusit e “Los Blancos” ranë dakord që ylli 24-vjeçar të mbajë nga 60 deri në 80 për qind të të drejtave të imazhit, dhe flitet për shifra të larta.
Sulmuesi ka kontrata sponsorizimi me vlerë 30 milionë euro në sezon, ndërsa në Madrid do të marrë edhe shpërblime sipas rezultateve.
Gjithsesi, nëse në Paris ai ishte “Mbreti”, ishte imazhi i klubit, i Francës, i familjes mbretërore të Katarit, dhe njeriu i afërt i Presidentit Macron, te Real Madrid nuk do të luajnë të gjithë për të, ku në një ekip me Vinicius, Bellingham, Modric e të tjerë, Mbappe mund të jetë njëri nga yjet e shumtë, por e rëndësishme është që në Madrid mund ta fitojë trofeun e Champions League.