Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur për zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, që pritet të mbahen në Serbi.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka theksuar se i mbetet qeverisë të vendosë nëse serbët me dyshtetësi duhet të votojnë në Kosovë.
“Mendoj se tash kemi kaluar në një stad të ri dhe që duhet të krijojmë mundësi për votim të qytetarëve me dy shtetësi, që dëshirojnë të marrin pjesë në ato zgjedhje përmes mekanizmave të pranueshëm në kuptimin e standardeve evropiane dhe që mund të jetë votimi në zyrën ndërlidhëse apo edhe përmes postës”.
Rubikon me Adriatik Kelmendin: Pra, jo sipas praktikave të mëhershme?
“Nuk mendoj se mund të kthehemi prapa, do të ishte një hap prapa kthimi. Për këtë çështje i mbetet qeverisë të vendosë, besoj se tash kanë filluar me OSBE-në diskutimet për këtë çështje dhe do të ishte shumë me rëndësi të ndodhë kjo sa më herët, të mos vijmë në momentin e fundit”, ka thënë Krasniqi.