Lajme

Mbahet mbledhja e katërt e Komitetit të Përbashkët Drejtues për Kornizën e Bashkëpunimit të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm

By GAZETA SCANNER 1

July 16, 2024

 

Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e katërt e Komitetit të Përbashkët Drejtues mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ekipit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën (UNKT). Mbledhja u mbajt pas zyrtarizimit të krijimit të Fondit të Përbashkët Përshpejtues të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për Kosovën.

 

Rruga përpara dhe planifikimi në zbatimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm dhe Agjendës 2030 si dhe fuqizimi i bashkëpunimit mes Qeverisë dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara, ishin në fokus të diskutimit në kuadër të Kornizës së Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së.

 

Kryeministri i Republikës se Kosovës, Albin Kurti theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në avancimin drejt zbatimit të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe Agjendës 2030, në fusha që ndër të tjera përfshijnë shëndetësinë, arsimin, digjitalizimin, agrikulturën, drejtësinë e sigurinë.

 

Ai vlerësoi krijimin e Fondit të Përbashkët Përshpejtues të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për Kosovën, si një marrëveshje e rëndësishme që tregon për bashkëpunimin e zgjeruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës, donatorëve dhe OKB-së.

 

Më tej, i falënderoi agjencitë relevante të OKB-së, të cilat asistuan e ndihmuan dhe në përmbylljen suksesshme në terren të regjistrimit të popullsisë, duke bërë që ky proces t’i përmbahet standardeve ndërkombëtare.

 

“Teksa kemi hyrë në vitin e dytë të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe në vitin e katërt të Programit të Qeverisë, i cili përcakton agjendën e përgjithshme kombëtare të reformave dhe investimeve, ne jemi mirënjohës për përpjekjet e institucioneve qeveritare, agjencive të OKB-së dhe partnerëve të tjerë zhvillimorë në përafrimin e këtyre prioriteteve dhe mbështetjen e zbatimit të tyre.” tha kryeministri Kurti.

 

Kryeministri Kurti shoqërohej në këtë mbledhje nga ministra të linjës dhe drejtues institucionalë, ndërsa nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara prezent ishin Koordinatorja Rezidente e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, shefi i UNDP-së në Kosovë Nuno Queiros dhe shefja e re e UNICEF në Kosovë, Veronika Vashchenko, dhe përfaqësues tjerë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.