Op/Ed

Masakra e Dubravës: Shpalosje e plagëve të dhembjes dhe krenarisë…

Shkruan: Rasim Selmanaj (i mbijetuar i Masakrës së Dubravë)

Kur vjen mëngjesi i 22 majit!!!!!

Në retrospektivë!


………është vështirë të kthehesh me mendje e shpirt e të flasësh për Masakrën e Dubravës. Jo pse kujtesa më ka tradhtuar, por pse të shpalosësh plagët e dhembjes dhe të krenarisë për shokët e masakruar e të vrarë, nuk është lehtë.

Në mbrëmjen e vonë të kësaj të shtuneje, që e lamë pas, në shtëpinë time në Gllogjan, tek po mendoja nga t’ia nisja fjalës sime, papritmas më erdhi një zë në serbisht e një gardiani prej një pike të vrojtimit. Zëri që paralajmëronte tragjedinë për të burgosurit shqiptarë, erdhi në mëngjesin e hershëm të së dielës së kobshme të 22 majit, 1999. Pas natës më të gjatë të jetës sime, bashkë me qindra të burgosur të shtrirë nën qiellin e hapur, kur vetëm hëna dhe vdekja na bënin shoqëri, na shfaqet zëri i kriminelit, tashmë të njohur për neve, i Svetlan Martinoviqit.

Ai po jepte urdhrin për t’u rreshtuar afër murit të burgut, gjoja për të na transferuar për në Burgun e Nishit, duke na thënë se këtu më nuk kishte kushte qëndrimi pas bombardimeve të NATO-s.
Unë isha afër disa të burgosurve nga komuna e Deçanit dhe disa të tjerëve të komunës së Gjakovës. Edhe pse ne nuk po besonim se po bëhej fjalë për çfarëdo transferimi në Burgun e Nishit, njëri prej nesh tha: “Çkado që të ndodhë, të mos largohemi nga njëri-tjetri. Nuk i dihet këtij skenari”. Ishte Gazmend Imeri, njëri nga pjesëtarët e hershëm të UÇK-së, i pari që kishte vërejtur përmes një vrime muri lëvizjet e ushtarëve dhe të paramilitarëve serbë, breshëritë e armëve të të cilëve pak kohë më pas lanë të vrarë e të masakruar qindra të burgosur shqiptarë.

Mbi ne, u zbrazën breshëri mitralozash, snajperësh, minahedhësish, granatash dore, të cilat po bënin blojë trupat tanë. Aty pranë meje, plumbat lanë të vdekur Gazmend Imerin dhe Ibër Metajn, ndërsa, shumë të tjerë, të qëlluar rëndë, po përballeshin me frymën e fundit që po u ndërpritej nga mizoria më e pamëshirshme ndaj njerëzve të ngujuar.
Tashmë edhe unë isha i shtrirë dhe i gjakosur. Kokës më rridhte gjak. Nga llahtaria nuk mund ta dija nëse isha i plagosur rëndë. Gjaku vazhdonte të më rridhte, ndërsa, krismat nuk kishin të ndalur. Qindra zëra jetë po shuheshin dhembshëm nga kriminelët serbë në natën e kobshme të 22 majit. Oborri po mbulohej me gjakun e të vrarëve. Disa metra më larg Dervish Sylaj nga Ratishi i Deçanit, po përsëriste aktin e heroizmit. Ndonëse i bërë shporë nga breshëritë e armëve të vrastarëve serbë, ai po hapte gjoksin dhe po klithte me gjithë zërin e tij të mbytur: “Qëlloni kriminelë! Qëlloni! Kurrë më Kosova nën Serbi”.

Fjalët e tij të fundit më trokasin në çdo kohë në shpirtin dhe mendjen time. “Amanet thoni nënës se djali yt ka vdekur për lirinë e Kosovës. Amanet tregojuni fëmijëve të mi se babai juaj ka rënë për liri”. Kështu pushoi zëri dhe shpirti i tij i ndritur për të mos vdekur kurrë.

Në burgun e Dubravës u vranë 150 dhe u plagosën qindra të tjerë. Nga komuna e Deçanit ranë në altarin e lirisë: Zekë Hasanmetaj, Adem Jasiqi, Gani Lekaj, Hajdar Pepaj, Metë Osmanaj dhe Naim Kurmehaj. Për Shkelzen Pepshin thuhet të jetë liruar mes datës 17 dhe 18 maj, trupi i të cilit më vonë është gjetur i vrarë në rrethana të pandriçuara.

Disa nga të burgosurit deçanas të cilët kishin përjetuar këtë llahtari të Dubravës dhe të burgjeve të tjera serbe, kanë vdekur si pasojë e torturave gjatë qëndrimit në burgje, si: Hysni Dautaj, Afrim Hasaj, Zeqë Hasaj. Ata ishin arrestuar më 18 maj në bjeshkët e Belegut. Kjo kishte ndodhur në ditën kur u vra Shpend Hasaj, ndërsa u arrestua djali i tij Armendi.

Një vdekje e dhembshme nga grupi i të burgosurve deçanas vjen si lajm i papritur. Arif Vokshi tragjikisht kishte ndërruar jetë. Në mesin e qindra të plagosurve nga komuna e Deçanit janë: Bedri Kukalaj, Xhemsat Shehaj, Shaqë Selmanaj, Agim Hulaj, Fadil Dabiqi, Hysen Latifi, Mujë Zeka, Naser e Arben Tahirsylaj, Kamer Ahmetgjekaj, Beqir Alimusaj, Kamer Hima, Azem Zukaj, Gazmend Krasniqi, Nexhat Dervishaj, Ibrahim Isufaj, Sylë Kuqi, Demë Botusha, Ismet Qelaj, Sahit Haxhosaj, etj

Ndërsa, llahtarinë e kësaj dite me plagë të lehta ose me përballje me jetën nga komuna e Deçanit e kanë përjetuar: Agron Tolaj, Muhamet Avdijaj, Selim Lokaj, Izet Zenuni, Rizë Tahirukaj, Selim Sutaj, Haki Mahmutdemaj, Xhafer Shala, Hajdar Hasanramaj, Shkumbin Malaj, Faton Malaj, Jeton Malaj, Mustafë Alimusaj, Dinë Gjoci, Lan Mataj, Brahim Beqiraj, Demë Ramosaj, Selmon Ukëhaxhaj, Shpend Dobrunaj, Florim Zukaj, Driton Zukaj, Dervish Zukaj, Azem Zukaj, Gani Baqaj, Xhafer Qufaj, Sadik Isufi, Ramiz Isufi, Gani Çekaj, Selim Çekaj, Milaim Çekaj, Rasim Isufaj, Lan Isufaj, Njazi Isufaj, Lavdim Tetaj, Naim Zejnaj etj.

Kështu, nëntë vjet pas, kalimthi u ktheva në mëngjesin e llahtarshëm të 22 majit të vitit 1999 të masakrës së Dubravës. Dhe në këtë rast kujtoj se përmasa e kësaj masakre, edhe sot e pandriçuar, nuk ka ndodhur rastësisht. Po rikthehem në kronologjinë e kthimit e të burgosurve shqiptarë nga burgjet e Serbisë në vendin famëkeq, Dubravë. Tashmë burgjet kudo ishin stërmbushur me të burgosur shqiptarë dhe rikthimi ynë këtu nuk ka si të shpjegohet ndryshe, veçse realizim i skenarit makabër të pushtetit serb, që u realizua egërsisht në këtë ditë të kobshme. Më 29 dhe 30 prill 1988 bëhet ritransferimi nga Burgu i Dubravës në burgjet serbe i të gjithë të burgosurve politikë me arsyetimin se kjo po bëhej për shkaqe sigurie.

Transferimi realizohej në kazamatin e Nishit dhe në atë të Mitrovicës së Sremit. Më 12 gusht 1998 nga Burgu i Pejës së bashku me qindra të burgosur më transferuan në burgjet e Serbisë. Stacionimi im bashkë me disa të burgosur nga grupi shumë i madh, ishte Burgu i Nishit. Flakët e luftës çlirimtare ishin përhapur në tërë vendin. Ne po ndjenim atë. Po jetonim me të.

Fillimi i bombardimeve të caqeve serbe fillon edhe ringjalljen e shpresave jo vetëm për të burgosurit, por edhe për lirinë e vendit. Bota demokratike për herë të parë po vihej në mbrojtje të një populli dhe të një lufte të drejtë. Dhe pikërisht në këtë kohë rifillojnë sërish transferimet e të burgosurve që tashmë ishin shndërruar në pengje lufte. Më 26 prill 1999, 45 të dënuar politikë nga Burgu i Mitrovicës së Sremit transferohen në Burgun e Nishit. Ato ditë në këtë burg unë dhe qindra të tjerë po përjetonim torturat më çnjerëzore që njeh historia e njerëzimit. Në mbrëmjen e 26 prillit dhuna nga kati i dytë ku gjendeshim, po bartej në katin e parë te grupi i Ukshin Hotit, Nait Hasanit dhe i të burgosurve të tjerë të njohur politikë. Më lehtë ishim ndjerë kur dhuna ushtrohej direkt në katin tonë se sa kur dëgjonim britmat e kriminelëve serbë që i torturonin çnjerëzisht të 45 të ardhurit nga Burgu i Mitrovicës së Sremit.

Torturat e katit të parë nuk pushuan 3 ditë rresht. Më 29 prill të gjithë të burgosurit politikë të kateve 1 dhe 2 transferohen me 3 autobusë në drejtim të panjohur. Gjatë gjithë rrugës shoqëroheshim para e pas nga forca të mëdha serbe, ndërsa nga ajri aeroplanët e NATO-s vëzhgonin këtë rrugëtim tonin të panjohur. Të lidhur dy nga dy për karrige autobusi, ne bënim këtë rrugëtim, cakun dhe skenarin e të cilit nuk e dinim.

Çfarë koincidence! Me një parë pranga dhe në një karrige autobusi isha i prangosur me ish-nxënësin tim, të riun Lavdërim Tetaj. Ne nuk po flisnim më për orët mësimore të dikurshme, por për fatin tonë dhe për fatin e vendit. Me të mbërritur në Orllat papritur nga bombat e aeroplanëve të NATO-s qëllohet njëra nga autoblindat që na shoqëronin në rrugëtimin e paditur. Avionët nga qielli, duke shkatërruar edhe urën, ndajnë në dysh kolonën. Një autobus me plot të burgosur, në mesin e të cilëve edhe Ukshin Hoti, vazhdon në drejtim të Dubravës, ndërsa dy të tjerët kthehen pas për t’u stacionuar një natë në Burgun e Lipjanit. Të nesërmen në mëngjes të dy autobusët në rrugë alternative, mbërrijmë në Dubravë. Ishte 30 prilli kur dy autobusët me plot të burgosur tashmë ishin në vendin ku do të ndodhte krimi. Po këtë ditë, në këtë burg sillen edhe të burgosurit nga burgjet e Prizrenit, Lipjanit dhe të Gjilanit.

Ndërsa, më 18 maj 1999 sillen edhe 155 civilë nga Gjakova. Sipas informatave tona, tashmë në këtë burg ishin afër 1 mijë të burgosur shqiptarë. Grumbullimi i gjithë këtyre të burgosurve në një vend, paralajmëronte skenar të tmerrshëm, i cili më 22 maj u realizua në mënyrën më çnjerëzore. Deri në ditën e krimit, dhuna s’kishte të ndalur.
22 maji ishte kulmi. Bilanci tragjik: 150 të vrarë e qindra të plagosur. Dhe me gjithë këtë masakrim, tek të mbijetuarit morali nuk ishte thyer. Në rrethanat e krijuara, pa dashur të përmend emra, organizimi për ndihmë dhe shpëtimin e shokëve, ishte i pashoq. Të burgosurit e mbijetuar bëheshin mjekë për të shpëtuar jetë. Të burgosurit deçanas ishin kontingjenti, i cili veproi në rrethanat e krijuara duke u dalë në ndihmë shokëve të plagosur.


9 vjet pas, Dubrava flet në këtë Akademi Përkujtimore, por duket se askush nuk dëgjon zërin e mbytur të saj. Dhe kjo akademi duhet të trokasë në ndërgjegjen e të gjithëve dhe në mënyrë të veçantë të institucioneve shtetërore. Kujtoj se nuk është ndriçuar as për së afërmi përmasa e këtij gjenocidi. Mendoj se as ne si të mbijetuar nuk e kemi kryer punën sa dhe si duhet për të sjellë dëshmitë autentike të krimit të 22 majit në Dubravë. Secili nga të mbijetuarit do të kishte mundësinë të bëjë së paku një rrëfim origjinal me emra e mbiemra të shokëve të vrarë e të plagosur.

Shkrimet dhe botimet e deritashme sikur më shumë kanë provuar të tregojnë meritat e disa të burgosurve, të cilat gjithsesi nuk kontestohen, se sa të ndriçohet kjo dramë njerëzish të përkushtuar jetësisht për çështjen kombëtare. Në disa prej shkrimeve për këtë llahtari, kanë ndodhur gabime që nuk do të duhej të ndodhnin. Në listën e të vrarëve gjenden edhe njerëz të gjallë. Dhe gabimet si këto janë të pafalshme, prandaj shtrohet nevoja për një rishikim të këtyre shkrimeve, dhe për më shumë për një studim të tërësishëm të kësaj ngjarjeje tragjike.
Se burgu gjatë rrugëtimit tonë për liri ishte fat i shqiptarëve, tregon edhe pjesëmarrja e shumë të burgosurve këtu të viteve ’68, ’81, ’90. Ne ishim pjesë e rrugëtimit për çlirimin e vendit, prandaj duhet të jemi pjesa më aktive në ndriçimin e përmasave të krimit serb të datës 22 maj 1999 në Burgun e Dubravës.

Kriminelët që vranë e masakruan të burgosurit shqiptarë, kanë emër dhe mbiemër e ata janë: Drejtori i burgut Aleksander Kovaçeviq, komandanti i burgut Miki Vidiq, mbikqyrësi Branko Komatina, milici Gërka Igor, etj. Mandej gardianët Aca, Mitri, Mance, Pegja, etj. Si dhe të burgosurit ordinerë serbë: Sfetlan Martinoviq nga Vraka e Shkodrës, vrasës i familjes Cacaj nga Deçani, Boban Bashçeviqi nga Nikshiqi, Ilia Mishkoviqi nga Çaçaku, etj etj. Të gjithë këta kriminelë shëtitin të lirë në Beograd e vende të tjera në Serbi. Këta vrasës duhet të vihen para drejtësisë.
Në fund, dua të shpresoj që vitin e ardhshëm, në 10-vjetorin e kësaj masakre, të bëjmë më shumë në shpalosjen e këtij krimi të pandriçuar tërësisht.

(Fjalë rasti, e mbajtur në Akademinë përkujtimore në Deçan, për Masakrën e Dubravës, më 20 maj 2008)