Një ditë pasi u publikuan bisedat mes koordinatores së komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ku përmendet edhe afera e tij milionëshe, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka dhënë një intervistë për “N1” në Bosnjë e Hercegovinë.
Ai aty flet për Kosovën, ku thotë: “Kosova nuk është shteti i askujt, por shtet i pavarur”.
“Sa i përket Kushtetutës, ne mbulojmë veriun e Kosovës, ku Serbia donte të dëshmonte se ishte territor i saj. Kosova nuk është pronë e askujt, por shtet i pavarur.” – ka thënë ai.
Në fund, Berishaj citohet të ketë folur edhe për Asociacionin, duke thënë se nuk do ta lejojnë “bosnjizimin” e vendit, me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
‘Pak a shumë e vërtetë’
Në komunikimet që i ka siguruar gazeta Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për skandalin energjetik ku u përfshi Berishaj. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.
Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.
Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.
Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e portalit Reporteri, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.
“Pak a shumë e vërtetë.” – thuhet në përgjigjen e Nagip Krasniqit, në bisedat të cilat i ka siguruar Nacionale.