13.9 C
New York
Tuesday, April 16, 2024

Buy now

Martesat ndërkonfesionale që s’i pamë!

- Advertisement -

Shkruan: Agron Hoti

A e keni parë motra e vëllezër në ç’absurd jetojmë?! Shqiptari/ja bëka të martohet me gjermanin/en, francezin/en apo anglezin/anglezen, ndërsa s’bëka të martohet me motrën apo vëllaun e besimit tjetër, sepse për këtë na i penguaka feja, e s’na i bashkuaka historia, kompaktësia gjeografike, vazhdimësia etnike kulturore e gjuhësore, traditat dhe e kaluara jonë e përbashkët mbi 3 mijë vjeçare. Për martesat mes shqiptarësh qenka problem feja, kurse për ato mes shqiptarëve dhe popujt tjerë feja s’qenka kurrfarë problemi.

Pra, familja e vajzës shqiptare apo djalit shqiptar u dashka të turpërohet para rrethit familjar e besimtar në qoftë se fëmiu i tyre synuaka martesë me fëmiun e besimit tjetër edhe pse të dytë shqiptarë, ndërkohë që nuk u turpëruaka fare kur fëmiu shqiptar i një besimi martohet me fëmiun joshqiptar të besimit tjetër! A ka absurd më të madh se ky?
Imagjinoni, Drini i Bardhë është kufiri natyral mes Komunës së Gjakovës dhe asaj të Rahovecit. Në anën e Gjakovës shtrihen fshatrat shqiptare të besimit katolik, kurse në Komunën e Rahovecit fshatrat shqiptare të besimit musliman. Me kompetencë e them, që s’ka asnjë martesë të vetme mes dy anësh, gjersa s’ka më shumë se 5 km distancë mes dy anësh aq të afërta gjeografikisht, etnikisht, kulturalisht, kombëtarisht e historikisht, e për fat të keq aq të largëta mentalisht në aspektin fetar. Sigurisht që arat dhe fushat i kemi të përbashkëta, kemi komunikim e bashkëpunim vëllazëror mes vete, por kur vjen puna te martesat, ikim si prej dreqit njëri nga tjetri.
Më mallë e bën dikush i njërit besim që t’i martohet fëmiu me një nacionalitet tjetër pavarësisht besimit, sesa martesat mes vete pra prej shqiptarësh që flasin e frymojnë shqip, që ndëgjojnë muzikë shqip e që jetojnë e shkollohen së bashku shqip.

Sigurisht që martesat nuk duhet të imponohen por as duhet të pengohen aq më pak ato ndërkonfesionale, përkundrazi këto të fundit duhet të promovohen, sepse kjo ndikon në homogjenizimin dhe pse jo konsolidimin e kombit. Nëse vazhdojmë kështu siç jemi, atëherë s’mund të themi që kemi pranueshmëri konfesionale, përpos tolerancës së dëshmuar që kemi.
Duhet t’ua bëjmë me dije fëmijëve e gjeneratave që vijnë se shqiptarët kanë qenë në këto troje shumë kohë para se të vinte krishterizmi e islami. Shikoni kombet e zhvilluara sa shumë kanë ecur përpara, ku askush s’pyet më për besim kur vendos të martohet.

Absurdi është se shumë më shumë janë të martuar mes vete boshnjakët muslimanë me kroatët katolikë e serbët ortodoksë, sesa ne shqiptarët mes vete si trekonfesionalë që jemi. Nëse popujt tjerë të Ballkanit na xhelozojnë për tolerancë fetare që kemi si popull shqiptar, ne duhet t’i xhelozojmë ata për martesat ndërkonfesionale, për të cilat ne dimë shumë pak, nëse fare jo. Nëse feja s’qenka problem për martesë mes fqinjëve tanë të nacionaliteteve të ndryshme, pse u dashka të jetë problem mes shqiptarëve që pavarësisht besimeve jemi të një nacionaliteti.
E keqja është se për kësi temash sociale, ashtu sikurse për shumë tjera, s’flet askush, as kleri, as akademia, as media, as shoqëria civile, as shkolla, as opinion-ndërtuesit e askush. Vazhdojmë të jetojmë në realitete të ndara mes vete, gjersa bashkohemi pa asnjë problem me të huajt.
Sa shumë lidhje ndërkonfesionale mes të rinjësh pengohen e prishen shkaku i ndërhyrjeve nga familjet e rrethi, sa çiftet detyrohen të ndahen, sa familjet traumatizohen, sa problemet sociale lindin, sa shumë pengohet rritja e produktivitetit të përgjithshëm si shoqëri e me këtë edhe sa shumë pengohet homogjenizimi i kombit tonë në kohën kur kombet tjera po ecin me ritme të papara zhvillimore.

Në vend që ne të ecim drejt homogjenizimit e konsolidimit kombëtar, kemi filluar të bimë pre e rrymave të ndryshme fetare – sidomos islamit politik shumë më shumë dhe krishterizmit politik shumë më pak – që synimin kryesor e kanë siç historikisht e kanë pasur thellimin e hendekut ndërkonfesional dhe thyerjen tonë si komb, për të na i ndarë orientimet dhe krejt në fund për të na shkombëtarizuar. Këto përpjekje antishqiptare nuk janë të sotit. Ato janë vazhdimësi projeksionesh të rrezikshme ndaj popullit shqiptar.

  1. Sulmet politike brutale që filluan ndaj Kosovës nga Rusia e Serbia përmes aleatëve të tyre sidomos pas humbjes që pësuan në GJND në vitin 2010 kanë krijuar aq shumë përçarje politike e kaos deri sot, saqë kjo ua ka shtruar terrenin për të ndërhyrë brutalisht në fe, pra në shpirtërore, në mënyrë që Kosova të transformohej nga vendi më properëndimor në glob në refuzuese gjithnjë e më të madhe të Perëndimit, saktësisht siç janë krijuar deri me sot rryma aq të fuqishme antikombëtare, të cilat veç sa s’kanë filluar të dalin sheshazi me flamuj fetarë në dorë.
    Përçarja brutale politike sidomos pas vitit 2010 i ka paraprirë një përçarjeje të thellë kombëtare e sociale, saqë sot s’mund të projektosh asgjë të përbashkët, mungon konsensus kombëtar edhe për gjëra më banale. Janë prishur mes vete vëllau me vëlla, motra me vëlla, miku me mik, etj. E kjo vetëm sa e rrit përçarjen ndërkonfesionale siç në fakt e ka theksuar goxha mirë për fatin tonë të keq.
    Prandaj, sot më shumë se kurrë duhet t’i mbledhim mendjet dhe forcën e t’u dalim përballë rrymave shkombëtarizuese. Kur s’ke komb, s’ke as fe e asgjë. E për ta konsoliduar kombin duhet homogjenizim kombëtar. Rritja e martesave mes vete janë njëri element për t’u filluar edhe pse më i vështiri për t’u tejkaluar si pengesë. A.H.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit