Lajme

“Marrja është te Serbia, jo te ne”, kërkohet që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të flasin hapur

By GAZETA SCANNER 1

April 20, 2024

Gratë të cilat pranuan se ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, po bëjnë thirrje që edhe burrat edhe gratë që përjetuan të njëjtën gjë të flasin për atë që iu ka ndodhur.

Sipas tyre, kjo duhet të bëhet në mënyrë viktimat që kërkojnë rehabilitim, të përfitojnë tretmanin e nevojshëm dhe njohjen nga institucionet e vendit.

Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës ka thënë se deri më tani nga procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, janë mbi 1 mijë e 600 burra e gra që kanë përfituar benificionet e njohura me ligj.

Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se gratë e burrat që kanë përjetuar dhunë seksuale duhet që të kenë lirinë që të flasin së paku me familjarëve të tyre.

Sipas saj kjo duhet të bëhet në mënyrë që ato do të lirohen nga brengat që i mbajnë në vete tash e 25 vite.

“Mesazhi im është njësoj që e kam dhënë që gjashtë vitet e fundit, unë dua që ato ta kenë lirinë, nëse nuk duan që të falsin publikisht, së paku ta kenë lirinë që të flasin në familje. Ne kemi shumë viktima që nuk e dinë familja, nuk e din burri, nuk e din fëmija, nuk e dinë prindërit. Ato nuk kanë me kënd ta shpërndajnë atë dhimbje, atë vuajtje që kanë që 25 vite që mbajnë brenda. Falë shoqatave që i kemi, është e vetmja dere hapur për shumë viktima. Mesazhi im është që të kenë lirinë që të flasin”.

“Përftimi është çlirimi i shpirtit, unë jam krejt ndryshe si ajo Vasfija që kam qenë para 2018 e që jam sot. Se më tërë botën e ndaj rrëfimin tim se çka më ka ndodhur gjatë luftës, se nuk është diçka që është marrja (turpi) te unë, marrja është tek Serbia jo te ne”, ka thënë ajo.

Krasniqi-Goodman tutje theksoi se edhe gjykimi në mungesë i krimineleve të luftës është një shprese për të gjitha ato gra dhe burra që kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës, raporton EO.

“Si rasti im që ka ndodhur, ka pasur shumë keqpërdorime, nuk e di pse dështoj rasti për shkak se i hoqën dëshmitë që i kishim ne. Po edhe gjykimi në mungesë unë besoj që është i mirë, se ata nëse janë në Serbi gjykohen në Kosovë, por nëse tentojnë ta lëshojnë Serbisë ata të kapen aty ne kufijtë që dalin”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka kërkuar nga të gjitha ato gra, vajza edhe burra që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës që të mos hezitojnë, të kërkojnë rehabilitim, tretmanin e nevojshëm e njohjen nga institucionet e vendit.

“Të flasin për pasojat e tyre pa u paragjykuar dhe pa u stigmatizuar prandaj unë i ftoj të gjithë ato gra, vajza edhe burra që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës që mos të hezitojnë, të kërkojnë rehabilitim, tretmanin e nevojshëm, njohjen nga institucionet e vendit, në mënyrë që të jenë pjesë edhe e skemave repreative ashtu siç ekzistojnë që nga viti 2018″, ka thënë ajo.

Rushti, tutje tha se rasti i serbit Zoran Vukotiq të dënuar me 13 vite burg për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, iu ka dhënë shpresa grave, vajzave dhe burrave të tjera për të kërkuar drejtësi.

Ajo tha se në gjykimin në mungesë presin që të kenë bashkëpunim me të gjitha institucionet e drejtësisë në vend dhe se shpreson që ky proces të kaloj pa sfida.